Si mund të bëhet Gjirokastra, Korça e mundshme e jugut

Gjirokastra ka shansin më të madh për të qenë Korça nr. 2 e Shqipërisë, e jugut të saj. Por ka një mangësi të madhe, atë që nuk e ka Korça, ose të cilin e ka dhe si avantazhin e madh, së bashku me borën: gatimin, pra kuzhinën. E pra kjo është pikëpyetja më e madhe për Gjirokastrën unike, qytetin e pangjashëm, me një tërheqje të jashtëzakonshme, një resurs i pakrahasueshëm në botën urbane shqiptare, një qytet i UNESCO-s: se pse në zemër të saj ende nuk shkëlqejnë restorantet?

Zemra e Gjirokastrës, Qafa e Pazarit, duhej të gëlonte bash për ato – restorantet, gatimet e shijshme, aromat e tyre që joshin akoma dhe më tepër turizëm, por jo. Aty ecejaket, pihet kafe ose çaj, por ende nuk shijohet ndonjë kuzhinë karakteristike me nam.

Pra, mbetet vetëm dekori unik, ku zhytesh në një botë rrugësh të kalldrëmta, ndërtesash, çatish, dyersh e dritaresh, avllish e çkamos prej detajeve të një arkitekture e urbanistike të tipit osman, që bën Gjirokastrën ku e ku më tërheqëse se Korça.

Kjo e fundit arrin të kapitalizojë mjeshtërisht në funksion të turizmit çdo gjë që trashëgon, ku gatimit i mëshon fort. Vetë fjala Korçë të ngacmon tërheqje gastronomike, si dhe sa e sa emocione të llojeve të tjera që i përmban ky emër me konotacion të fortë historik, tradicional e qytetar.

Edhe Gjirokastra i ka këto, falë dhe emrave të mëdhenj që ka nxjerrë, të çdo fushe, duke e bërë ndër qytetet më intelektuale, por dhe me tharm të fortë qytetar.

E pos kësaj, ajo çfarë është vetë qyteti në faqe të Malit të Gjerë, përbën një magji më vete, si në tërësi e si në detaje, ku veçojnë shtëpitë karakteristike nëpër labirinthe rrugësh apo rrugicash të gurta, shkruan Tesheshi.

E nëse Korça nuk ka peisazhe, si qytet në fushë, Gjirokastra është ndër ballkonet më fantastike natyrore, ku si kurorë e larme i rri kalaja me kullën e sahatit.

I duhet vetëm një shije e mirë ngrënieje, aty, mes shkëlqimit të gjithçkaje, si një thesar nga e djeshmja, e cila rrezaton kaq fuqishëm në të tashmen e këtij qyteti.