VIDEO/ Rama jep pamjet: U lëshuan në hapësirë satelitët “Albania 1” e “Albania 2”

Dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 janë transportuar për në hapësirë nëpërmjet raketës Falcon 9 të misionit Transporter 6, nga Space Launch Complex 40 (SLC-40).

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar dhe pamje nga nisja e dy satelitëve në hapësirë.

“‘Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2”, shprehet Rama.
 

Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milionë dollarë u nënshkrua në fund të muajit shtator të vitit 2022.

Kjo kontratë konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.

Ndër të tjera, ky shërbim do t’ju mundësojë institucioneve përfituese marrjen e imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive.

Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në shtator 2022 tha se “me lëshimin e këtyre satelitëve, ne hyjmë në një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, në funksion të luftës kundër korrupsionit, në funksion të forcimit të shtetit dhe në funksion të barazisë përpara ligjit, por edhe në funksion të së drejtës së barabartë për të përfituar nga gjithë mbështetja shtetërore”.