Destinacioni i javës: Ishujt e Ksamilit, 15 km nga qendra e qytetit

Ishujt e Ksamilit janë pjesë e bregdetit të Jonit, në Njësinë Administrative Ksamil, Bashkia Sarandë. Ata janë shpallur Monument Natyre në vitin 2002 dhe sot janë pjesë integrale e Parkut Kombëtar të Butrintit. Kanë sipërfaqe 15 ha, prej së cilës 5 ha tokë dhe 10 ha det.

Ndodhen rreth 7.5 m – 15 m mbi nivelin e detit. Ishujt kanë origjinë tektonike dhe janë krijuar në periudhën Jurasike.

Janë ishuj të vegjël shkëmborë pranë njëri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar ndërkohë pjesa detare përveç kthejlltësisë së ujit ka një faunë e florë mjaft të pasur. Plazhet përgjatë ishujve janë një zonë unikale, përfaqësuese të bregdetit shkëmbor jonian dhe ndër më të preferuarat nga turistët vendas e të huaj.

Drejt ishujve mund të shkohet me not ose me varka të vogla pasi largësia nga bregu është e vogël.

Ishujt së bashku me mjedisin bregdetar rreth tyre përbëjnë një nga ansamblet më piktoreske të Rivierës shqiptare.