Margariti për administrimin e Butrintit: Përmbushim pikë për pikë çdo rekomandim të UNESCO-s

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në Kuvend se me marrëveshjen për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit po përmbushim pikë për pikë çdo rekomandim të UNESCO-s.

Duke iu drejtuar opozitës nga foltorja e Kuvendit, Margariti u shpreh se nuk mund të flitet për mirëadministrim, duke marrë referenca të 2012.

“Kërkohet që të flasim sot me vizionin e 2012. Nuk do t’ja lejoja vetes që të ktheja kokën pas 10 vite. Ne sot jemi duke parë rekomandimet e 2030 dhe mirëadministrim do të thotë ta vendosësh në dispozicion të komunitetit për herë të parë këtë potencial turistik “, tha ajo.

Margariti u shpreh se kjo marrëveshje do të thotë optimizim i të ardhurave të Butrintit dhe ngritje e fronteve të reja që kanë qenë hallka të munguar, patjetër dhe shërbime më ekselente sipas standardeve më të mira.

“Do të ofrohen shërbimet e nevojshme për të pasur aksesueshmëri dhe qëndrim më i zgjatur në sitin e Butrintit. Po ashtu, kjo është në të mirë të komunitetit, sepse do të përfitojnë artizanët lokalë”, tha Ministrja.

Sipas saj, “të gjitha fondet që do të riinvestohen do të bëhen për ta mbrojtur Butrintin”.

“Ministria e Kulturës nuk do të marrë asnjë shpërblim financiar, rrogë apo pagesa. Çdo pretendim tjetër është shpifje që vjen thjesht për qëllime politike dhe propagandë politike”, tha ajo.