Pse u refuzua darka informale me ftesë të kryeministrit grek? Ja si përgjigjet Begaj

Gjatë intervistës për ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla, presidenti Bajram Begaj komentoi gjithashtu edhe refuzimin e ftesës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për një darkë informale të liderëve të Ballkanit në Athinë. Shqipëria u ftua në nivel presidenti pas përplasjes për çështjen e Fredi Belerit.

I pyetur nga gazetari Sokol Balla, presidenti përsëriti arsyetimin që dha asokohe me refuzimin e ftesës, duke thënë se nuk mori pjesë për shkak të axhendës së paracaktuar.

Pjesë nga intervista:

Ju refuzuat me shumë elegancë ftesën e Micotakis për të marrë pjesë në një darkë informale në Greqi dhe u duk se kjo ishte shenja e parë pas shumë vitesh e seriozitetit të shtetit, pavarësisht diskutimeve të brendshme, kur vjen puna te imazhi i jashtëm ai ka një fytyrë, ka një zë dhe besoj kjo ishte një gjë e mirë. Por nga ana tjetër, problem mbetet dhe diskutimi I fundit për cështjen Beleri me Greqinë mund të jetë sërish në fokus të takimeve tuaja nëse do keni me përfaqësues të shtetit.

Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, është një politikë e lavdërueshme nga komiteti ndërkombëtar, nga BE dhe nga partneri ynë strategjik SHBA, është e linjëzuar me vendet e BE dhe SHBA dhe kjo politikë e jashtme nuk bëhet brenda ditës. Natyrisht që kur vjen një ftesë nga homologë apo kryetare shtetesh ajo vlerësohet dhe unë nuk di të kem refuzuar asnjë lloj ftese. Po, ftesa është vlerësuar dhe është kthyer përgjigje me kërkesë mirëkuptimi për mospjesëmarrje në këtë darkë informale për faktin e një axhende të paracaktuar më parë.

Pra, ju po thoni se në rast se ftesa do ju vinte nga Presidentja e Republikës greke ju do kishit shkuar?

Çdo ftesë vlerësohet në bazë të mundësisë, në bazë të axhendave. Natyrisht që ftesat dakordësohen përpara nga kabinetet përkatëse.