Sarandë: Gjimnazi “Hasan Tahsini”, spikat edhe si qendër komunitare

Përfshirja e shkollës së mesme “Hasan Tahsini” në projektin “Shkolla-Qendër Komunitare”, ka bërë që ajo të hapë portat e saj dhe të mendimit, jo vetëm për nxënës e mësues, por edhe për prindër e qytetarë të interesuar. Me shumë audiencë ishte dita kur fokusi i diskutimit ishte Ushqimi dhe Shëndeti.

Nxënës të vitit të parë të këtij gjimnazi bënë një prezantim dhe interpretim bindës të gjetjeve më të fundit shkencore mbi ndikimin e ushqimit dhe ushqyerjes në shëndet, e plotësuar kjo me sondazhe të organizuara me bashkëmoshatarë të tyre.

Mesazhe të dobishme u dhanë përmes video historisë së një vajze që rrëfeu në vetë të parë përpjekjen torturuese për të kaluar nga një trup obez në kaheksi (refuzim të ushqyerjes).

Ky panel akademik në seksionin e biologjisë, do të ishte rasti kur Kryebashkiaku Adrian Gurma, i ftuar në këtë panel, rimori rolin e mjekut.

Ai dha kontribut të posaçëm në plotësimin e informacionit shkencor mbi temën Ushqimi dhe Shëndeti. Duke falenderuar që pas 3 vitesh në krye të Bashkisë, iu dha rasti t’i kthehet profesionit që i ka kushtuar gjysmën e jetës, mjeku Adrian Gurma tha se nxënësit e surprizuan pozitivisht, pasi mund t’i merrje si studentë të vitit të parë të mjeksisë. Këshilla dhe apeli i tij për të rinjtë ishte ta duan trupin e tyre ashtu siç është e kjo arrihet duke u ushqyer shëndetshëm.

I mrekulluar nga niveli i organizimit të prezantimit nga nxënës dhe nga stafi pedagogjik, Kryetari Gurma mori shkas për të thënë se kjo i shton atij detyrimin në cilësinë e qytetarit të parë, për më shumë vëmendje dhe mbështetje për cilësinë e edukimit në shkolla.

Një kohë më vete ai i kushtoi vizitës së ekspozitës së nxënësve me materiale të ricikluar, ndërkohë që përgëzoi grupin e nxënësve dhe mësuesen që udhëhoqi realizimin e apkikacionit me pamje qilimi me motive shqiptare, në hyrje të shkollës “Hasan Tahsini”, një emër i madh i arsimit për Sarandën, me histori 62-vjeçare.