EMRAT/ Aksidenti tragjik në Tepelenë, identifikohen katër viktimat dhe të plagosurit! Zbulohet kush e shkaktoi tragjedinë

Janë identifikuar identitetet e katër personave që humbën jetën në aksidentin e rëndë në Tepelenë, ku u përfshinë tre mjete.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:00 rreth 300 m larg hyrjes së Tepelenës në by pass-in që devijon qytetin.

Riza Rapaj, 42 vjeç, nga fshati Luftinjë, që udhëtonte me një mjet tip “Benz” nga Tepelena drejt Memaliajt ka kryer një manovër të gabuar, duke u përplasur me mjetin tip “Toyota” që vinte nga drejtimi i kundërt. Brenda Toyotës udhëtonin 5 persona të të njëjtës familje.

42 vjeçari që u bë shkak për aksidentin dhe drejtuesi i mjetit Toyota Lavdosh Bega, 62 vjeç, kanë humbur jetën në vendngjarje.

Më pas u konfirmuan të vdekur gjatë transportit për në spital edhe Lefteri Bega 57 vjeç bashkëshortja e Lavdoshit dhe Afërdita Meta 85 vjeç, nëna e kësaj të fundit.

Të plagosur rëndë brenda të njëjtit mjet mbetën Jani Meta rreth 60 vjeç dhe Lavdie Ismail Meta 61 vjeç familjarë të tyre.

Nje mjet i tretë tip “BMW” që udhëtonte në të njëjtin sens me “Toyotën” është përfshirë në aksident si pasojë e rrethanave të papritura.

Tre persona që udhëtonin brenda mjetit të tretë kanë vetëm dëmtime të lehta.

Ata kanë marrë mjekime në spitalin e Gjirokastrës dhe gjenden jashtë rrezikut për jetën.

Të plagosurit rëndë janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Nga hetimi paraprak mendohet se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia mbi normën e 42 vjeçarit Rapaj, lagështia në rrugë me pasojë rrëshqitjen nga korsia.

Aksidenti mori përmasa dramatike pas përfshirjes në të të mjetit të tretë që për pasojë rriti bilancin e të lënduarve dhe të vdekurve në këtë ngjarje.