Mbi 500 të vaksinuar në Vlorë

Rreth 500 persona personel mjekësor janë vaksinuar deri tani në jug të vendit ndërsa sot është dita e pestë e vijimit të këtij procesi.

Prioritet kanë qenë bluzat e bardha ndërsa ka përfunduar vaksinimi edhe në dy qendra të të moshuarve në Fier ku e kanë marrë dozën banorët e tyre dhe stafi që u shërben.

Procesi vijon te pallati i sportit në Vlorë ndërsa vaksinat janë shpërndarë edhe në qytete të tjera të qarkut dhe në Gjirokastër e Fier.

Deri tani për të gjithë jugun e vendit janë shpërndarë 1500 doza vaksine ndërsa pritet edhe sasia tjetër.

Në Vlorë ka patur interes edhe nga të moshuarit mbi 80 vjeç për të marrë injeksionin, por ende nuk ka një datë se kur do të nisë procesi për ta.