Agron Shehaj sfidon Bashën, futet në garë për kreun e Partisë Demokratike
Agron Shehaj vendos të futet në garë për kreun e Partisë Demokratike. Lajmin e ka dhënë vetë Shehaj përmes një postimi në Facebook ku shprehet se konkurimin nuk e sheh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur
“Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë. Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.
Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur”, shkruan z. Shehaj.
Z. Shehaj, i cili ishte një nga kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në Tiranë shprehet se vendimi i tij për të hyrë në garë lidhet me faktin se beson që “shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë”.
Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.