Zëdhënësi i policisë së shtetit kujton bashkëpunimin me Mehmet Çelin: Të besosh dhe ta dashurosh punën përherë bën më të mirën
RETROSPEKTIVË: Të besosh dhe ta dashurosh punën përherë bën më të mirën
Nga Gentian Mullaj, zëdhënës i policisë së shtetit
Postimet në facebook, më kujtuan sot, një pjezës të punës time por mbi të gjitha më kujtuan një prej shokëve dhe miqëve të mirë, e sigurisht një oficer policie model që i rezistoi çdo furtune duke u bazuar në ndershmërinë, përkushtimin, profesionalizmin dhe besimin se e vërteta zhytet por nuk mbytet.
Është e vërtetë se në rrugën e jetës duhet të jesh, social, human dhe i sjellshëm me të gjithë, por kur bën miq e shokë ata që kanë vlera, atëherë ke bërë zgjedhjen e sigurt se këta njerëz do ti kesh përherë në rrugën plot sfida të jetës.
Po aq i vërtetë është fakti se ka katër mënyra në të cilat vijmë në kontakt me botën. Na vlerësojnë dhe klasifikojnë sipas asaj që bëjmë, cila është pamja jonë e jashtme, çfarë theni dhe si e themi.
Mehmet Çeli, sa vite pune e sakrifice, operacione të pafundme, lodhje e rraskapitje, por na shijonte shumë buka thatë në mal, apo kruasanët molto në errësirë duke pritur për të realizuar detyrën e unë si përherë që ju ndiqja natën e ditën në çdo operacion për të pasqyruar punën dhe rezultatet.
Të faleminderit që sa herë hyje në zyrën ku unë punoja dhe përfaqësoja, më inkurajoje në iniciativat që unë ndërrmerja për komunitetin, ku ishte e vetmja zyrë në Policinë e Shtetit, Zyra për Marrëdhëniet me Publikun që prodhonte çdo muaj gazetën me titull “Policia pranë”, njëherë në vit gazetën “Kundër Drogës Polici -Komunitet”, po njëherë në vit gazetën “Pyjet SOS”, apo broshurat me mesazhe letrare kundër drogës, duhanit, alkoolit, për parandalimin e aksidenteve rrugore, për emigrantët që vinin për festat e fundvitit, e plot e plot të tjera që i përdornin në çdo fushtatë sensibilizuese.