Personazh 2024: Nga solist i valles, në “timonin” e Turizmit

Nga Thoma Nika

Në natën e magjishme të ritmeve Flamengo, që dhuruan 10 spanjollët në Kalanë e Lëkurësit, çdo spektator u ndje i privilegjuar. Të ishe aty, mes ritmeve dëfryes, tingujve dhe lëvizjeve gati hipnotizuese të artistëve të ardhur nga Sevilja, të ndjeje hyrjen në shpirt të tingujve drithërues të kitarës dhe trokëllimën ritmike të këmbëve në skenën e një kalaje të lashtë, ishte një rast që rrallë të jepet.
Djaloshi që kishte zënë vend në radhën e parë të spektatorëve ishte parë në çastet kur trupa spanjolle shkeli tokën shqiptare për të marrë pjesë në festivalin teatror “Butrinti 2000”. Ai u printe, u hiqte çdo kuriozitet të kontaktit të parë me botën shqiptare, komunikonte anglisht me ta, i shoqëronte në çdo mjedis, para e pas shfaqjes. Por nga “të prerat” e fytyrës, merrej vesh se qe nga “tanët”.

Arben Çipa, i bërë fillimisht i njohur në tërë ishullin e Korfuzit, si njeriu i ritmeve shqiptare në valle dhe njeriu që shumë prej “përrenjve” të fluksit turistik të ishullit helen, i “derdhi” për nga Saranda e Piluri i tij, ishte ai që u kish prirë edhe artistëve të Flamengos drejt Sarandës dhe skenës së Lëkurësit.

Ai është prej atyre ish-emigrantëve që, me talentin dhe punën e tyre në fushë të artit, kanë bërë të ndjehen keq njerëz me akademi të mbaruar. Ka lënë pa mend spektatorët-klientë të lokaleve turistikë dhe ka lidhur me emrin e tij ekzistencën e lokaleve më prestigjiozë.

– Ika që 17 vjeç nga Himara-tregon Arbeni, të cilin “anija e shpresës” më ’92-shin e kish nxjerrë në brigjet e Korfuzit.

E nisi si kamarier, por pronari kish parë se tabakaja në duart e tij dhe ai vetë fluturonte drejt klientëve.
– Më shikonte më vërejtje në thembra të këmbëve dhe më thosh me admirim se duhej të kisha susta në to- kujton duke qeshur Beni. – Dhe më dolën “susta” vërtet-vijon ai. – Si me sustë m’u duk se nisa të bëja shkëputjen nga tabakaja tek skena e lokalit.
Kush e njeh Korfuzin, e di mirë se ç’do të thotë të jesh në përbërje të grupit që kërcen tek Taverna “Tripa”, një lokal shumë i preferuar jashtë Korfuzit, i ngjashëm me një guvë të qetë, ku çdo gjë është fine.

Kur bisedon për rrjedhën e jetës së tij, djali i brishtë i poetit të “Bejkës së bardhë” Leftër Çipa, të duket edhe vetë po aq fin. Atje, në Kinopiastes, në fshatin ku dynden turistë, dhjetëra vitet që kaluan, më shumë se në moshë, e rritën profesionalisht Benin. Përveç greqishtes, që e di me rrënjë e i pëlqen të debatojë me linguistë e sidomos me gazetarin Stefanos Pulimenos, kryetarin e sotëm të Bashkisë së Korfuzit, që është edhe miku i tij, ai ndjehet “amtar” edhe me anglishten.
Pasioni për vallen mbeti mbi të gjitha, ama. Veçse atë e bashkoi me ushtrimin e mësuar të valles, duke mos iu ndarë shkollave artistike të Korfuzit dhe koreografëve me emër.

Ai thotë se deri dhe në Selanik ka vajtur, ku ka mësuar për vallet latino-amerikane. E kjo është një pikë tjetër kontakti me Flamengot. Sado të famshëm të jenë ata, sheh se sa konfidenciale ia bën kërkesën për një foto të përbashkët në sfondin e kalasë Juan Ogalla, që është një emër i madh i botës Flamengo. Po kaq miqësor ishte komunikimi I tij me menazheren e trupës, zonjën Sharon.

– Jam i lumtur-thotë Çipa artist- që zoti Bualoti, drejtori I Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, më mundësoi kontaktimin me këtë trupë të famshme.
Arbeni u kujdes për akomodimin e tyre në hotel “Astron” në Korfuz, për udhëtimin pa probleme drejt Sarandës dhe kthimin.

Arbeni ka përjetuar në ishullin helen dhjetëra stinë verore të ngjeshura me axhentë të pasur koncertesh. Te “Tripa”, po se po, por pa harrruar edhe koncertet e programuara te “Marbela Hotel” e “Imperial”, të dy të standarteve 5-yjesh.

– U bëra unë sebep, që një natë në javë- kujton Beni-atje këndohen dhe vallëzohen pjesë shqiptare, krahas atyre greke.

Dhe këtë e quan shumë të gëzueshme. Të huajt e Korfuzit kanë qenë puna e tij e dimrit. Ai ishte dhe mbeti “maestrua” dhe miku artist i 200 familjeve jogreke që rrojnë në Korfuz dhe që kishin qejf të mësonin ritmet shqiptare prej tij.

– U mësoja vallet që di unë në shkollën time në dimër- kujton Beni.

Si shenjë të ngjitjes në karrierën artistike të tij, ai përmend faktin që arriti të ishte pjesë e Teatrit Shtetëror të ishujve Jonianë dhe se ftesat nga universitete botërorë, për përfshirje si përfaqësues nga Shqipëria në programet e turizmit kulturor, nuk kishin të mbaruar. Për këtë thotë se i ka dhënë dorë edhe agjencia e vet turistike në Sarandë, me emrin e njohur “Sipa-tours”.

Ajo e ka vënë më mirë në pozicionin e manazherit të grupeve turistike dhe artistike. Vetëm në Butrint ai përmend se ka “gisht” në sjelljen e baletit rus, të konsullit të Hollandës, të këngëtarit Frangulis, që u bë partner i koncertit të sopranos sonë Inva Mula etj. Përmend pastaj edhe emra të mëdhenj si Neckerman etj, që i ka ftuar për të parë Sarandën dhe kanë ardhur.

Në kuadër të aktivitetit intensiv turistik të “Sipa Tours”, ishte i pari që aplikoi udhëtimet me jeep-safari, nga Saranda deri në ish-rrëpirat e Pilurit të lindjes. Pak vite më parë, do të ishte ndër të parët që i dimensionoi Sarandës biznesim e udhëtimeve me anijen turistike “Pegasos”, drejt plazheve të virgjëra dhe për shetitjet relaksuese mbrëmjeve, nëpër Gjirin e Sarandës. Biznesi vendas, me profil mirëfilli turistik, ka vite që i ka besuar “timonin” e drejtimit të Shoqatës së Industrisë së Turizmit. Edhe kjo “anije”, ecën e mirëorientuar në det të hapur…