Prishet hoteli pa leje i komisionerit të Belerit në Dhërmi
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pritet që të vazhdojë aksionin në Dhërmi për të prishur hotelin e Kristaq Belit, i cili ka qenë komisioneri i Fredi Belerit në zgjedhjet e 14 majit.
IMT fillimisht shkoi për të hedhur në erë hotelin tre ditë pas zgjedhjeve të 14 majit. Por pronari pretendoi se kjo ishte hakmarrje, pasi ai kishte qenë numërues në zonën ku u vulos fitorja e Belerit në Himarë.
Beli ishte një nga numëruesit në Kudhes, zonë ku u vulos fitorja e Belerit, i cili ndodhej pas hekurave në momentin që votohej për të. Beleri u arrestua nën akuzën e shitblerjes së votave.
Prokuroria pretendon se ka prova se Beleri po shpërndante 40 mijë lekë të reja për vota. Ai u vu në pranga më 12 maj, në mesnatë, teksa ndodhej në lokalin e tij në Himarë dhe ende ndodhet pas hekurave. Gjykata e ka lënë në burg.