Dyshimet e forta për vdekjen e 17-vjeçares në Borsh, avokati: U bë një vrasje dhe u kamuflua si aksident

Alketa Duro denoncon në “Stop” manipulimin e aksidentit që i mori jetën vajzës së saj 17 vjeçare Ana. Ngjarja ka ndodhur në 15 Mars 2019 në plazhin Borsh.

Dy të rinjtë që u përfshinë në aksident ishin me makinën e familjes së vajzës, pasi familjet ishin në dijeni të lidhjes së Anës me të riun Roberto Dhuli. Atë pasdite rreth orës 17:00 çifti i të rinjve ishin anës plazhit dhe në mënyrë të çuditshme makina del nga kontrolli dhe bie në një kanal kullues në anë të rrugës.

Automjeti kthehet përmbys dhe si pasojë humb jetën 17-vjeçarja, ndërsa djali shpëton. Nëna e të ndjerës ka dyshime për humbjen e së bijës.

“Na thanë që ka qenë vajza shofere dhe ajo e bëri aksidentin. Mirëpo shumë gjëra nuk më lidhen në këtë pjesë dhe e dyshoj. Rruga është një gjerësi shumë e madhe. Kishin mundësi të mos binin në kanal, të frenonin, të ktheheshin majtas nga rëra. Dyshimi tjetër është që djali më thanë që ishte i pa lagur. Shoku i vajzës sime, njerëzit e parë që kanë vajtur më thanë që ka qenë i pa lagur. Ra në ujë dhe ishte i pa lagur. Kur e kam pyetur si ka mundësi, më tha që një çun e mora në telefon dhe më solli rrobat. Ai telefonin e kishte vënë në shtëpinë time. U gjet rruga më e thjeshtë, që ajo e kishte fajin. Të ma vërtetojë drejtësia që është siç thotë ai apo është diçka ndryshe. Unë jam 1000% e bindur që vajza ime nuk ka qenë në timon. Si ka mundësi që ti bashkë me të nuk e ndihmove”, tha Duro.

Çështja e aksidentit në Borsh duhej të hetohej nga Prokuroria e Vlorës, por në mënyrë të çuditshme, këtë dosje e mori Saranda me prokurorin Lorenc Merkuri.

Ky i fundit pas 4 ditësh e mbylli hetimin e aksidentit, duke bërë fajtore viktimën. Hetimi u shkatërrua pa filluar, pasi trupit të të ndjerës nuk iu bë autopsi, për të kuptuar shkaqet e vdekjes.

“Mua nuk më pyeti njeri. Prokurori kur kam kërkuar zhvarrimin e vajzës, u ngrit dhe ulërinte, ç’janë këto që kërkoni. U zverdh, u bë lule kungulli. Nuk e kuptova reagimin e prokurorit. Isha prezente bashkë me avokatin”, tha Duro.

Apeli i Gjirokastrës i evidentoi të gjitha këto mangësi. Çështja e aksidentit në Borsh u trajtua si lojë ping-pongu, duke kaluar në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. “Stop” mësoi, se së fundi çështja ndodhet në Vlorë, në dorë të prokurores Flora Çela.

“Dua t’u them qytetarëve shqiptarë dhe zotërinjve të ONM në Tiranë, atyre të KLP, Prokurorit të Përgjithshëm, kryeprokurorit të SPAK që ta hetojnë këtë çështje se është mbuluar një krim. Është bërë një vrasje dhe është kamufluar sikur është aksident”, tha avokati Zaçe Islami.