Pr.buxheti, deputetja e Sarandës: Arsimi, sektor i nënfinancuar

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se, në pr/buxhetin 2024 investimet në sektorin e arsimit janë rreth dy herë më të ulëta se fatura e qeverisë për koncesionet dhe PPP-të.

Sipas saj, arsimi është një sektor i nënfinancuar pavarësisht pretendimeve të qeverisë.

Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, Zhupa u shpreh se, “priten më shumë prokurime

për 2024, por jo më shumë studentë në fakultete, jo më shumë nxënës në shkolla, jo më shumë pedagogë dhe kërkues që qëndrojnë në vend, jo më shumë mësues të motivuar për të punuar me brezin e ri”.

“Investimet në gjithë sektorin e arsimit, pra në arsimin bazë, mesëm, profesional, lartë, fondet për shkencë, rezultojnë te jenë 2.3 herë më të ulta sesa fatura e Edi Rames për PPP-të e tij. Është parashikuar për buxhetin e arsimit vetëm 2.3% e GDP, ndërkohë që duhej të ishte të paktën 5% sipas premtimeve 11 vjeçare të qeverisë”, tha Zhupa.

“Fondet për kërkim shkencor janë 0.084% e GDP. Ose rreth 20 herë më e ulët se mesatarja e BE. Kemi 2 kërkues për 1000 banorë, që është të paktën 4 herë më i vogël krahasuar me vendet e rajonit. Kjo e bën edhe më utopike premtimin e kësaj qeverie se do t’i rankojmë universitetet. Por si mund t’i rankojmë kur jepet rreth 22 mijë lekë për pedagogë për kërkim shkencor? Si mund të prodhohet shkencë dhe si mund të krahasohemi me vendet e tjera?!”, u shpreh ajo

Zhupa shtoi se, “nuk ka asnjë parashikim buxhetor për rritjen e rrogave të pedagogëve, të stafeve akademike, sipas kërkesave te tyre të drejta, për të cilat qeveria bëri sikur u angazhua. Rroga që janë shumë larg standardit të vendeve të rajonit dhe jo më të vendeve të Bashkimit Europian ku synojmë të anëtarësohemi”.

“I vetmi ndryshim me buxhetin e dështuar të 2023 për arsimin është që kësaj radhe parashikohen më shumë prokurime për godina me modelin abuzues të deritanishëm. Ku kostot e ndërtimit tejkalojnë edhe vendet më të zhvilluara të BE, me 5-6 fish”, tha ajo.

Zhupa nënvizoi se, edhe për mësuesit është e njëjta harresë si me pedagogët.

“Ndërsa buxheti i vitit 2023 parashikonte trajnim çdo vit i mesatarisht 51% i mësuesve të arsimit bazë, ky buxhet e redukton shifrën e trajnimeve në 37.9 % të mësuesve. Mësuesit nuk parashikohet të marrin asnjë shpërblim, qoftë edhe për fund vitit, apo për performancën e tyre. Atyre nuk i jepet mundësi mbështetje buxhetore për ecjen përpara në metodat e reja të mësimdhënies, për teknologjinë e informacionet etj”, tha ajo.

Zhupa theksoi se, ky projektbuxhet ul parashikimet dhe nevojat për psikologë dhe punonjës social në shkolla.

Deputetja e PD shtoi se, studentët janë të braktisurit e mëdhenj të këtij projekt buxheti.

“Asgjë për ta! Asnjë mbështetje për studentët. Shqetësimin për t’i mbajtur në vend nuk e adresojnë me më shumë para’ për ta, me mbështetje buxhetore për tarifat, me buxhet për menca, me buxhet për paketa shëndetësore për ta, me karta studentore me aksese reale të paguara nga shteti, por me shkelje të drejtave dhe kontratave”, tha Zhupa.