Gjirokastra në vështirësi për t’u rimëkëmbur pas shpërthimit të beftë të COVID-19

Në qendrën historike të Gjirokastrës, që mbrohet nga UNESCO, një qen endacak me emrin Bora dremit e qetë nën atmosferën e dekorit të festave të fundvitit, që qëndron ende në ditët e para të janarit.

Pazari historik është zbrazur nga banorët e Gjirokastrës, të cilët qëndrojnë në shtëpi nga frika e koronavirusit, ndërsa turistët e huaj janë zhdukur nga qyteti që prej mbylljes së kufijve.

“Bizneset e vogla tradicionale janë në vështirësi, pasi mungojnë turistët,” thotë Alma Dhrami që tregton prej 20 vitesh punime artizanale në zemër të Pazarit 300 vjeçar.  “Bashkia e ngrohu atmosferën, por njerëzit kanë frikë nga virusi. Ne përpiqemi t`i mbajmë bizneset hapur dhe t’i japim jetë pazarit,“ shtoi ajo.

Ndërsa qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi dhe Shkodra përballeshin me numra në rritje të të infektuarve me COVID-19, Gjirokastra mbeti për muaj me radhë jashtë vëmendjes.

Por në nëntor në mënyrë të beftë, numri i personave të infektuar u rrit me nga 15 persona në ditë. Nga 129 raste aktive më 1 nëntor, numri i të infektuarve aktivë u rrit në 428 në datën 20 nëntor.

Ish-deputeti i opozitës për këtë qark, Tritan Shehu akuzoi një paradë me makina të vjetra të quajtur “Retro”, e organizuar nga bashkia dhe Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve në datat 24-28 tetor si “bombë biologjike” për përhapjen e koronavirusit të ri në Gjirokastër.

Akuzat u konsideruan si të pabaza dhe politike nga kryebashkiaku Flamur Golemi, i cili pretendoi se “Retro” kishte respektuar protokollet dhe ishte zhvilluar në ambient të hapur. Golemi shtoi gjithashtu se numrat e të infektuarve ishin rritur si pasojë e rritjes së testimeve “publike dhe private”, ndërsa fajësoi edhe hapjen e shkollave dhe lëvizjen e më shumë njerëzve.

Ndërkohë, drejtoria lokale e Institutit të Shëndetit Publik fajëson bizneset lokale si shpërndarësit më të mëdhenj të COVID-19.

Drejtuesi i Shërbimit të Epidemiologjisë, Arenc Brahimi, tha se kishte pasur më shumë lëvizje të banorëve nga një qark në tjetrin dhe se përhapja kishte ardhur nga disa fasoneri, biznese dhe institucione me numër të madh punonjësish.

Vala e infektimeve e bëri Gjirokastrën në dy muaj, nga qarkun me numrin më të ulët të rasteve aktive për mijë banorë, në atë me numrin më të lartë. Sipas të dhënave zyrtare, në 14 janar Gjirokastra kishte 35.1 të infektuar për 1 mijë banorë, duke lënë pas edhe Tiranën me 31.9 raste.

Numrat e rritur menjëherë u ndjenë në të gjithë qarkun e Gjirokastrës, ndërsa mes të infektuarve ishin edhe tre prej kryebashkiakëve. Frika pas shpërthimit duket se ka ulur edhe më shumë lëvizjet në qytet, ndërsa turistët janë zhdukur prej muajsh.

Zbrazje dhe vështirësi ekonomike

Shërbimi Epidemiologjik në Gjirokastër. Foto: Raimond Kola.

Turistët shqiptarë ishin të vetmit që ndihmuan ekonominë e varur prej vizitave turistike me të cilën jetojnë dhjetëra gra dhe vajza në Gjirokastër, të cilat merren me punime artizanale, kryesisht qëndisje.

“Por kjo ishte për shumë pak kohë, kryesisht në korrik dhe në gusht,” thotë Alma, njëra prej tyre.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve në qytet ra nga mbi 115 mijë në vitin 2019 në rreth 28 mijë në vitin 2020 ose 75% më pak.

“Sektori turistik është më i dëmtuari nga pandemia,” thotë kryetari i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër, Maksi Hoxha.

“Jo vetëm po qëndrojmë të mbyllur, por po ikën dhe personeli i kualifikuar në Tiranë apo jashtë vendit,” shtoi ai, duke shpjeguar se rikthimi në normalitet do ishte i vështirë.

Qazim Tuqi, një sipërmarrës në hoteleri thotë se disa biznese në këtë sektor janë në vështirësi, pasi morën kredi për të zgjeruar aktivitetin me shpresën se viti 2020 do të shënonte një prurje të madhe turistike, ashtu siç ishte edhe ritmi prej viteve të kaluara. “Ishim optimistë pasi u restaurua pazari dhe po rritej numri i rezervimeve,” thotë Qazimi.

Sipas të dhënave të sektorit të taksave në bashkinë e Gjirokastrës, 111 biznese u mbyllën gjatë 2020 vetëm në këtë bashki dhe 81 biznese të tjera u hapën, por rënia e fuqisë blerëse ishte e dukshme. “Biznesi është në vështirësi,” thekson Çiljeta Metaj, që drejton sektorin e taskave në Bashkinë Gjirokastër.

Këshilli bashkiak zeroi vitin e shkuar disa nga tarifat vendore për biznesin për periudhën mars-prill në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19. Sipas vendimit të këshilltarëve edhe  subjektet që përdorin hapësirat publike për ushtrimin e aktivitetit, nuk  paguan “taksën për zënien e hapësirave publike” për periudhën janar-qershor 2020.

Po kështu edhe  subjektet që përdorin ambiente në administrim të bashkisë dhe që nuk kanë ushtruar aktivitet, u përjashtuan nga pagesa e qirasë për muajt mars-prill. Por mospagimi i tarifave vendore dhe qirasë bashkiake nuk zëvendëson të ardhurat e humbura të bizneseve.

Gjobat mbi krizën

Të gjendur përballë vështirësive, shumë biznese në Gjirokastër janë përpjekur t’u shmangen rregullave për COVID-19, por mjaft prej tyre janë detyruar të mbyllen përkohësisht dhe të tjerë janë ndëshkuar me gjoba.

Edi Sinoimeri, kreu i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetërorë i tha BIRN se në qark ishin vendosur 35 gjoba dhe ishin marrë 40 masa administrative me mbyllje “për subjekte që nuk kanë respektuar aktet ligjore në fuqi për pandeminë e Covid 19”.

“Masat me gjobë kanë qenë në njësi shërbimi, kryesisht bare,  që nuk kanë respektuar aktet ligjore në fuqi  në kuadër të pandemisë , ndërsa masat administrative me mbyllje  kanë qenë për disa institucione publike dhe disa subjekte fasonerie, por edhe njësi shërbimi,” tha Sinoimeri.

Sipas tij, ndërgjegjësimi i qytetarëve të Gjirokastrës për mbajtjen e maskës ka qenë i lartë dhe vlerësohet edhe respektimi prej banorëve i distancimit social në mjedise publike.

“Tani këto biznese janë hapur pas krijimit të masave  sipas protokolleve,” shtoi Sinoimeri.

Pas pikut të muajve nëntor-dhjetor, edhe numri i rasteve të reja me COVID-19 është stabilizuar. Numrat kanë zbritur nga 15 raste mesatarisht në ditë në nëntor, në 3.8 raste të reja në 5 ditët e fundit deri më 14 janar.

Drejtuesi i Shërbimit Epidemiologjik në Gjiroakastër tha se përfshirja e testeve të shpejta dhe rritja e numrit të testeve, ka ndikuar në zbutjen e numrave.  “Javën e parë të janarit janë kryer mbi 300 teste dhe 15 persona kanë rezultuar pozitivë,” tha Brahimi.

Testet e shpejta po kryhen edhe në Pikën Kufitare të Kakavijës në kufi me Greqinë dhe në urgjencën e spitalit, duke minimizuar përhapjen.

“Personat që marrin shërbimin e urgjencës, por edhe ata që paraqiten dhe shtrohen në spital dhe ka dyshime për COVID 19 testohen më parë,” thotë Bledi Çela, i cili drejton urgjencën në Gjirokastër.  Sipas tij, ky testim i pacientëve ka ndihmuar në parandalimin e infektimeve.