Greqia s’heq dorë nga kërcënimet për bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë, i drejtohet BE: Pa u zgjidhur çështja e Belerit, nuk ka pajtim për hapjen e negociatave

Greqia ka paralajmëruar sërish Shqipërinë se do të përdorë veton e saj për bllokimin e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Sipas mediave të huaja, Athina e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë përparimin e negociatave, deri në inaugurimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg për blerje votash.

Ditën e sotme në COREPER (Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së) Greqia ka paraqitur një letër, ku ka shprehur rezervat lidhur me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, duke bërë të qartë se nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë nëse nuk do të të ketë zhvillime pozitive në lidhje me marrjen e detyrave të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarës, Fredi Belerit.

Në tetor, Greqia nuk ka pranuar dërgimin e letrës së “27” për hapjen e një sërë Kapitujsh në pikënisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Më 4 dhjetor, gjykata e Tiranës do të shqyrtojë, kërkesën e Fredi Belerit për t’i dhënë leje për të bërë betimin ndërkohë që do të zhvillohet gjykimi normal për akuzat për blerje votash ndaj tij.

Athina me deklaratat e ministrit të Jashtëm, Giorgos Gerapetritis dhe me misionin në Tiranë të ministrit të shtetit Stavros Papastavros, i cili vizitoi Fredi Belerin në burgjet e Durrësit, ka dërguar një mesazh të qartë se do të përdorë çdo mjet presioni që ka në dispozicion.

Kjo nuk është hera e parë që Greqia kërcënon me bllokimin e negociatave për Shqipërinë, ndërsa ka pasur edhe reagime nga institucionet e Bashkimit Europian.

Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk beson se Greqia do të bëhet pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, por duket se Athina zyrtare nuk po tërhiqet.