U arratis pas aksidentit “të frikshëm” në Sarandë, vihet nën hetim punonjësi i FRONTEX

Policia e Sarandës ka reaguar në lidhje me aksidentin e regjistruar gjatë natës së kaluar në aksin rrugor Gajdar-Shijan, ku një automjet me targa rumune ishte përmbysur në mes të rrugës dhe drejtuesi i saj, ishte larguar pas aksidentit.

Blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se e kanë identifikuar drejtuesin e automjetit dhe bëhet fjalë për një punonjës të shërbimeve të FRONTEX, shtetasin 35 vjeç, banues në Rumani.  Ai është proceduar penalisht në gjëndje të lirë nga Policia për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Në momentin e aksidentit ai ka qenë jashtë shërbimit dhe ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.