Braçe thumbon Belerin dhe i bën thirrje Greqisë: Të njihen sigurimet shoqërore për shqiptarët

Deputeti socialist Erion Braçe, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se Greqia duhet që të ketë marrëveshje me Shqipërinë, në mënyrë që punonjësit shqiptarë në shtetit helen, të mund të përfitojnë sigurime shoqërore për vitet e punës që kanë.

Ai tha se mendon se kjo është një e drejtë që i u takon dhe se Greqia duhet ta njohë sikundër e njeh për punonjësit serbë në Greqi.

Ai tha se kjo e drejtë i takon edhe Fredi Belerit, teksa shtoi: Për punët e ndershme, jo për ato që ka bërë në errësirë.

“Situata nuk është rozë. Kemi dy probleme të mëdha, që i kemi me fqinjët tanë. E para është Greqia. Na duhet një marrëveshje me të për sigurimet, për sa kohë kemi një numër emigrantësh, punëtorët që kanë kontribuar dhe në ekonomi dhe në buxhetin e skemave të Greqisë, për sa kohë kanë paguar sigurimet atje. Nga të gjitha llogaritë, mendohet se nga Greqia duhet të përfitojnë 500 mijë shqiptarë.

Secili prej tyre ka kontribuar në Greqi dhe duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje që garanton pagesën e sigurime shoqërore edhe për ta. Deri sot të gjitha qeveritë i kanë lënë barrën vetëm kësaj qeverie, por ende nuk është në negociata, nuk bien dakord me Shqipërinë për këtë marrëveshje.

Greqia duhet ta kuptojë se është një çështje drejtësie për shqiptarët që kanë kontribuar në Greqi. Duhet ta garantojë edhe për punëtorët shqiptarë, siç e ka garantuar për punëtorët serbë. Besoj se e meritojnë dhe do të jetë legal, i ligjshëm, edhe për shtetasin Alfred Belerin, se dhe ai ka punuar në Greqi, po flas për punët e ligjshme dhe jo ato që ka bërë në errësirë”, tha Braçe.