GJKKO i mbyll derën, Dule: Lejoni Belerin të betohet, patatja e nxehtë të trajtohet sipas ligjit

Gjykata e Posaçme i ka mbyllur derën kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili kishte kërkuar përmes avokatëve të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës të ishte i pranishëm në seancën paraprake të kësaj të enjte, ku Fredi Beleri akuzohet për krime zgjedhore.

Dule foli për mediat jashtë ambienteve të GJKKO duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të lejojnë Belerin të betohet në detyrë, pasi po privohet nga kjo e drejtë elementare në shkelje të ligjit.

“Erdhëm me kërkesën që të ishim të pranishëm në këtë seancë. Kërkesës së avokatëve mbrojtës për praninë tonë iu përgjigj gjykatësja me një vendim negativ. Dëshiroj të theksoj se zoti Beleri në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me parimin botërisht të respektuar të prezumimit të pafajësisë, në shkelje të të drejtave elementare dhe universale ndalohet të kryejë betimin si kryebashkiak i zgjedhur. Në shkelje edhe të precedentëve të krijuar gjatë viteve të shkuara në vendin tonë. Mjafton t’iu përmend rastin e një deputeti të zgjedhur që ishte i paraburgosur që u lejua të betohet dhe vijojë aktivitetin parlamentar. Çfarë ka ndryshuar na praktikat tona juridike që zotit Beleri po i shkelet kjo e drejtë elementare?”, tha  Vangjel Dule

Kreu i PBDNJ kërkoi nga drejtësia që të trajtojë çështjen Beleri sipas ligjeve në fuqi, pasi sipas tij të pengosh Belerin nga ushtrimi i detyrës çon drejt një precedenti të rrezikshëm në jetën politike dhe juridike.

“Drejtësia duhet që pataten e nxehtë, duke kopjuar termin që vetë kryeministri e krijoi dhe ia la në dorë drejtësisë, prej drejtësisë kërkohet që ta trajtojë me frymën e ligjit dhe germën e ligjit, të praktikave të njohura botërisht. Nuk ka asnjë arsye që Beleri të qëndrojë qoftë edhe një sekondë më tepër i paraburgosur, siç nuk ka pasur asnjë arsye që të ndalohet dhe mbahet i paraburgosur prej 4 muajsh. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë procesin gjyqësor që ende nuk ka filluar. Fakti që zoti Beleri nuk është lejuar që të kryejë betimin është një shkelje flagrante , e pajustifikueshme dhe precedent i rrezikshëm për jetën tonë politike, juridike dhe përgjegjësinë institucionale”, u shpreh kreu i PBDNJ Vangjel Dule