Turistja tajlandeze bën pushimet në Shqipëri prej 10 vitesh: U shokova nga Ksamili

Mam Zuta një tajlandeze dhe Bashkimi Zuta bashkëshorti i saj një shqiptar i Maqedonisë, i lindur në Suedi, vijnë prej 10 vitesh çdo verë në Shqipëri.

Ata u njohën me vendin në 2012-n, takimi i parë ishte Vlora… po si dy shtetas që vijnë nga vende të jashtëzakonshme si Tajlanda, një parajsë tropikale në Azinë Juglindore ngecën në Shqipërinë tonë…

Turistja: Herën e parë që erdha këtu mund të them u shokova, sepse unë jam nga Tajalanda dhe siç e dini Tajlanda ka vende dhe plazhe shumë të bukura, dhe kur erdhëm këtu dhe shkuam në Ksamil .. oh zott deti ishte si në Tajlandë, nuk kisha parë asnjë det tjetër si Kasamili në Europë, ishte diçka e re për mua. Dhe çdo plazh që kemi shkuar ka qenë i veçantë.

Turisti: 10 vjet më parë kemi bërë “check in” në këtë vend  dhe edhe 10 vjet më pas ende nuk kemi bërë “check out”. Gjithmonë them tek kushdo që Shqipëria po shkon si një rraketë në ngjitje. Mund të duket nga njerëzit që jetojnë këtu se po ecën me hapa të ngadaltë, por për ne që e shohim me një sy të jashtëm, cdo vit dallojmë ndryshimin dhe rritjen eksponenciale.

Nëse e krahasoni Shqipërinë me Maqedoninë për shembull, Maqedonia ka pasur standarte me të larta vite më parë ndërsa tani ka një rënie të theksuar , ndërsa Shqipëria është krejt e kundërta… shihni si po zhvillohet Vlora, Saranda, Tirana dhe shumë gjëra të reja që kam dëgjuar që pritet të hapen sic është aeroporti i Vlorës. Kështu që ne do të vijmë gjithnjë këtu e po sjellim edhe familjarët tanë, po ju tregojmë për kulturën e Shqipërisë, ushqimin fantastik, njerëzit këtu.

Mund të them një gjë me siguri për Shqipërinë, që këtu je shumë komod, nuk ke frikë të dalësh në clube dhe bare mbrëmjeve se mos ndonjë cmenduri do të ndodh sic është në vendet e tjera. Në vendet e tjera turistike ka shumë kaos. Këtu cdo gjë është brenda limiteve, ka clube, argetohesh po asgje nuk tejkalohet që të shkojë në cmenduri.  Ju keni Alpet austriake por në një një mjedis tropikal… dhe mendoj që Shqipëria po zhvillohet me hapa të shpejtë.

Kureshtja e suedezëve për të vizituar Shqipërinë është shtuar çdo vit e më shumë, megjithatë Bashkimi si një shtetas i atij vendi tregon se recesioni I ekonomisë së Suedisë, rritja e inflacionit dhe çmimet e larta te energjisë elektrike atje kanë bërë që familjet suedeze pushimet t’i bëjnë në një vend me kosto të ulëta si Shqipëria.

Turisti suedez: Në Suedi në revistat e udhëtimeve shihet një rritje 300% e udhëtimeve drejt Shqipërisë, dhe nje arsye është sepse ekonomia në Suedi ka shkuar për dreq.  Suedezët zakonisht shkojnë në Spanjë, Itali dhe Kroaci por tani nuk mund t’i përballojnë më këto vende për shkak se cmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, ka inflacion në faturat e energjisë elektrike. Kështu që njerëzit që nuk kanë menduar më parë të vijnë këtu, tani thonë po mund të shkojmë se cmimet në Shqipëri janë më të arsyeshme.

Unë kam marr telefonata nga njerëz që kisha mbi 10 vjet pa folur të cilët më thonë “Si mendon a të shkojmë për pushime në Shqipëri?”.. dhe sigurisht ju them gjithmonë PO! Ajo çka dua të shtojë është se Shqipëria ka për të fituar shumë turistë, sepse  nëse e krahason me Kroacinë që gjithashtu kam qenë, një ditë pushimi në Kroaci, është 4 herë më e shtrenjte se një ditë pushimi në Shqipëri, dhe keni të njëjtin nivel, madje kulinaria shqiptare spikat më shumë, atmosfera është më e mirë këtu, ndaj mendoj që turistët e huaj që po shtohen do zhvillojnë dhe ekonominë e vendit. 

Ndërsa një shtetas grek i cili e kishte për herë të parë vizitën e tij në Shqipëri, e përshkruan atë si një vend që nuk ka imazhin që meriton për për tu tërhequr nga turistët.

Turisti grek: Të jem i sinqertë imazhi që Shqipëria ka si një destinacion turistik nuk është më I miri. Megjithatë ju duhet të përpiqeni më shumë që njerëzit të vijnë t’u vizitojnë dhe sapo ta zbulojnë këtë vend ata do kthehen sërish, siç do bëjmë edhe ne. Me fjalë të tjera ju duhet t’i tregoni botës së çfarë ofron Shqipëria, bukuritë e qyteteve, mikpritjen, plazhet tuaja, kulinarinë.. cdo gjë që do tërhiqte një turistë të vinte plus më e rëndësishmja çmimet me të cilat i ofroni gjithë këto bukuri.

Europianët dhe amerikanët po kërkojnëe vende me kosto të ulta. Ti tregosh botës se çfarë ofron Shqipëria është kjo karta me të cilën duhet të luani, por në të njetën kohë duhet të dini se turistët duan të shmangin vendet që janë të mbipopulluara, këtu ju jeni ende qetë, ndaj mendoj se Shqiperia është gati për tu ngjitur shumë lartë për sa I përket turizmit.

Me një sipërfaqe prej afro 28,750 km² dhe një nga vendet më të ngrohta me diell, Shqipërinë mund ta përshkosh thuajse të gjithën në një udhëtim disa javor. Platformat digjitale si Tik Tok, apo Instagram kanë ndihmuar gjithashtu në shtimin e kureshtjes për të vizituar Shqipërinë. Me një navigim të thjeshtë në Tik Tok, Shqipëria është bërë virale nga turistë të huaj të cilët e cilësojnë atë  si një vend që duhet vizituar për shkak të ujrave të kristaltë, peizazheve piktoreskë,  pozitës së favorshme gjeografike, ushqimit të bollshëm, kostove të ulta etj.. Po sa mund të kushtojë një udhëtim në Shqipëri për turistët e huaj?

Kemi paguar 150 Euro për person për biletat e udhëtimit. 500 euro hoteli, dhe 500 euro për ushqim dhe shpenzimet e tjera. Për afërsisht kemi harxhuar 2000 euro për 4 persona, 7 ditë qëndrimi.”

“Kemi qëndruar në vende të ndryshme, mesatarja e shpenzimeve ditore ka qenë 100 euro, për 5 ditë kemi shpenzuar 500 euro.”

“Është shumë lirë, 25 euro kam paguar hotelin për dy persona në Tiranë, i cili ndodhet 600 metër nga qendra e qytetit.”

“Për sa i përket restoranteve paguajmë gjysmën e çmimit që na duhet te paguajmë në Itali, me 25 Euro mund të konsumosh ushqim shumë të mirë.”

Kemi paguar 800 Euro për 1 javë në Sarandë dhe Ksamil, për ne është Ok sepse duam të mësojmë për kulturën e vendit dhe kemi dalë shumë, dhe çdo mbrëmje.”

“Për 7 ditë kemi shpenzuar 700 Euro. Këtu në Tiranë kemi marrë një hotel për tre net, i cili kushton 50 Euro”.

Po nga çfarë turistësh po vizitohet Shqipëria? A janë ata turistë cilësor të cilët ndihmojnë në përmirësimin e ekonomisë së vendit?

Kur shkuam të vizitonim Ksamilin I cili është një nga destinacionet që po promovohet masivisht në rrjetet sociale, videot e të cilit janë parë më shumë se 60 milion herë në rrjetet sociale. një turist tha se çfarë e bën tërheqës vendin tonë, është mikëpritja krahasuar me Malin e Zi dhe Greqinë. Shumë pranë Greqisë vendit që çdo vit është i mbipopulluar nga turistët e huaj, sa duket Shqipëria po i merr Greqisë edhe turistët fal kostove më të ulëta.

Turisti: Kemi vizituar Shqipërinë dhe më së shumti Ksamilin. Për shkak të bukurive natyrore dhe mikëpritjes që ju keni ne vijmë këtu vit pas viti. Më bën përshtypje sepse ju prisni më krah hapur këdo, nuk mund të krahasohet mikëpritja juaj me asnjë vend tjetër të botës, dhe këtë po ta thotë një serb që është rritur në Amerikë dhe ka vizituar shumë vende, isha në Greqi së fundmi por këtu kryeson padyshim mikëpritja.

Juve të respektoni pavarësisht nga vijmë, çfarë origjine,  çfarë ngjyre apo race jemi. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm si dhuratë nga Zoti, por duhet të përmirësoni disa gjëra. Ndoshta për 20-25 vjet ky vend do bëhet si Hawai. Keni një vijë bregdetare që mund ta shfrytëzoni më së miri.

“Ishim në Korfuz dhe erdhëm këtu me anije, menduam ta shihnim, nuk kishim shumë premisa por tani duam të qëndrojmë më shumë ditë këtu, ndoshta 2 javë dhe më shumë. Po kalojmë shumë mirë, është padyshim më e lirë se Greqia, apo Kroacia.“

Jeta e natës në kryeqytet dhe bregdet është bërë një tjetër arsye përse shumë të huaj, kryesisht të rinj, zgjedhin të vijnë drejt Shqipërisë. Lokalet janë të  mbushura plot, aty mund të gjesh një sërë alternativash për argëtim, të konsumosh pije alkoolike, koktejle fantastike, nargjile e gjithçka që ti dëshiron për të kaluar një mbrëmje të paharrueshme.

 “Shumë bukur, më pëlqen gjithçka do e rekomandoja tek të gjithë. Suedia është më konservatore, nuk mund të dehesh, këtu ka më shumë liri dhe ndaj më pëlqen.”

“Këtu është si në Jug të Italisë”

“Është shumë bukur, shumë këndshëm, nuk krahasohet me jetën që ne bëjmë në Danimarkë, shumë tropikale”

“Fantastike gjithçka, supozohej të qëndroja këtu 1 javë, por do rri edhe dy javë më shumë”

“Jeta e natës këtu është perfekte, po argëtohemi dhe këtu çdo gjë është më e bukur se në Zvicër ku unë jetoj”.

Në mesin e turistëve gjen edhe të rinj shqiptar të rritur jashtë vendit, të cilët nga çfarë familjarët u kanë treguar e kishin menduar Shqipërinë si një vend më të mbyllur e konservatorë.

 “Nuk e dija që vendi ishte zhvilluar kaq shumë, it hash edhe mamit kam ngelur e habitur”

“Jam nga Shkodra, jam lindur e rritur në Nju Jork. Është hera e parë që vijë në Shqipëri. Jam pa fjalë, këtu në Shqipëri bëhet jeta.”

Plaga që Pandemia e Covid 19 kishte lënë në sektorin turistik sa duket ka mbetur vetëm një kujtim i hidhur i së shkuarës Shqipëria po ringrihet më e fortë se kurrë. Madje mund të themi se po përjeton sezonin turistik më të mirë në historinë e saj!

Dëshira e turistëve të huaj për të eksploruar vende të reja dhe me kosto të ulëta rrjedhimisht pritet ta bëjnë vendin tonë një ndër destinacionet më të preferuara në vitet në vazhdim.

Pak vite më parë qeveria shqiptare duhet të kontraktonte mediat e huaja t’i bënin reklamë turizmit shqiptar, ndërsa sot nuk është më e nevojshme sepse këtë po e bëjnë vetë turistët. Rrjetet sociale janë të mbushura me fotot dhe videot e vetë të huajve që vizitojnë Shqipërinë.

Të rinjtë britanikë për shembull duket se nuk dëgjojnë komentet albanofobe të politikanëve të tyre. Por jo vetëm ata por shumë të huaj që vizitojnë Shqipërinë këtë sezon janë pushtuar nga Albmania.