Për çfarë ka nevojë Saranda tej të zakonshmeve?

Saranda ka një çështje të mprehtë jashtë çdo vendimmarrjeje politike apo vizioni menaxherial: është vetëdija publike mbi përgjegjësinë e çdokujt për atë që i jep qytetit me rolin, kontributin dhe cilësinë e jetës qytetare.

Në një plan makro ky është një handikap tipik shqiptar: e keqja është gjithnjë te tjetri, si dhe zgjidhja është te tjetri. Askush nuk kthen sytë nga vetja për të parë se ç’rol luan ai, për mirë a për keq.

Marrim ndërtimet. Shumëkush ka ndërtuar e vijon të ndërtojë në Sarandë, por qartazi pa merakun nëse ia shton apo jo bukurinë qytetit me ndërtimin që ofron. Në këtë pikë ka një egoizëm e individualizëm të pashoq; gjithësekush sheh hesapin personal, tej së cilit nuk ekziston asnjë lloj ndjeshmërie mbi të përbashkëtën.

Dhe ndodh që ky lloj individi e ka gojën çorap ndaj atyre që janë qeveritarë lokalë, të cilët sigurisht nuk kanë ndonjë shkop magjik për t’i bërë gjërat siç kërkon gojëçorapi pa kurrfarë merite a roli pozitiv në atë që ofron personalisht për jetën e qytetit.

Zhvillimi është sinergji: aleancë morale dhe etike mes vendimmarrjes ekzekutive dhe vetëdijes qytetare. Nga kjo e fundit buron ndenja që prona e tij është dhe prona e qytetit, ndaj duhet të sillet më merak ndaj saj.

Gjithnjë duke qëndruar te ndërtimet, të cilat janë pikat më e ndjeshme e estetikës publike ku Saranda ka njolla të papranueshme urbane, ai që ndërton duhet nisur së pari nga premisa se sa, me stilin e pamjen ia shton nurin qytetit, sa ia rrit vlerën asaj që është makro, brenda së cilës është dhe vlera mikro e pronës së tij. E gjitha kjo e jo vetëm, për të ardhur te një përgjigje për pyetjen: ç’të veçantë ka Saranda në jetën qytetare?

Veçantia në këtë rast është një atribut, një medialjon, një shenjë identifikuese, një referencë. Si shembull mund të merret Përmeti, qytet i cili vijon të jetë i tërheqës dhe ofertues pikërisht për cilësitë e veçanta identitare, ku renditen: gatimi, mikëpritja, lulëzimi, pastërtia, jeta qytetare. Kur të lëvrijnë këto në jetën publike, ahere nis dhe epoka e fortdëshirueshme e turizmit gjithëstinor.