Konispoli, bashkia e vogël nën kontrollin e socialistëve

Të 11 mijë votuesit e bashkisë së vogël të Konispolit në cepin më jugor të Shqipërisë pritet të zgjedhin kryetarin e bashkisë dhe 15 anëtarët e këshillit bashkiak të dielën e 14 majit, në zgjedhjet në të cilat socialistët kanë ndërruar kandidat, diçka që e kanë bërë rrallë.

Në garë për postin e kryetarit të bashkisë janë Ergest Dule, i cili ka qenë më herët i punësuar i bashkisë, dhe Fatmir Shero, një biznesmen me aktivitet në Vlorë, i cili ishte kandidat i pavarur për kryetar në zgjedhjet e vitit 2015.

Në garë për këshill janë tetë parti të cilat kanë vendosur në listat e tyre të mbyllura 127 kandidatë.

Pjesëmarrja në zgjedhje në këtë bashki ka qenë rreth 50%.

Socialistët kanë pasur kontrollin në bashkinë Konispol dhe në dy njësitë e tjera të saj, pothuajse vazhdimisht, me përjashtim të mandatit 2011-2015, kur demokratët fituan Konispolin dhe ish-komunën Markat ndërsa socialistët ruajtën kontrollin në ish-komunën Xarë.

Socialistët fituan në territorin e bashkisë edhe zgjedhjet e vitit 2021, kur morën afro 60% të votave. Megjithatë, Bashkia e Konispolit ka pasur për faktor në të shkuarën Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA, parti që garojnë, njëra në favor të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe tjetra në favor të PS-së.

Këto dy parti kanë marrë në vitin 2011, 500 vota, ndërsa kandidati i PBDNJ-së për kryetar në vitin 2015 mori 971 vota, ose 17%. Këto dy shifra tregojnë se preferencat e votuesve të partive minoritare mund të jenë përcaktuese për secilën palë, nëse angazhohen.

Bashkia Konispol shtrihet në një territor përgjithësisht malor duke u ngritur nga brigjet e Jonit në një zonë bregdetare të pazhvilluar.

Aktiviteti kryesor i bashkisë është bujqësia dhe blegtoria. Zona është e famshme për kullota dimërore për bagëtitë e imta.

Në fshatin Xarë një përpjekje e përbashkët e komunitetit ka krijuar një kooperativë shumë të suksesshme të përqendruar te prodhimi i agrumeve. Por pavarësisht suksesit të bujqësisë në Xarë, popullsia e të gjithë zonës ka qenë në rënie të shpejtë gjatë dekadës së fundit.

Bashkia e re do të ketë në territorin e saj edhe një vijë bregdetare prej rreth 10 kilometra të gjatë, e cila aktualisht është e pazhvilluar përreth Kepit të Stillos me bukuri të rrallë. Në këtë pjesë të bregdetit gjenden mes të tjerash Ishulli i Tongos, një shkëmb pranë gjirit të Ftelias në kufi me Greqinë, si dhe ishulli i Stilit.

Në pjesën veriore të bashkisë së re është krijuar një fshat i ri me banorë të ardhur nga Mirdita, popullsi që është përqendruar te artizanati në funksion të turistëve që vizitojnë Butrintin.

Qeveria “Rama” ka dhënë leje për zhvillimin e një fshati turistik në bregdetin e kësaj bashkie duke shkaktuar shqetësime mjedisore, ndërsa një investim prej 310 mijë eurosh ka rikonstruktuar sheshin kryesor të Konispolit si pjesë e Rilindjes Urbane./BIRN/