Aeroporti i Mynihut, zyrtarisht operator i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se bordi drejtues i aeroportit të Mynihut ka vendosur të jetë zyrtarisht operatori i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke e futur kështu në hartë ekselente të operimeve të gjata.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Balluku e cilësoi një lajm të shkëlqyer.

“Lajm i shkëlqyer. Punimet në të gjitha fushat e infrastrukturës në vend po ecin shpejt. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës është drejt përfundimit trupi i një piste prej 3.2 km, që do të shërbejë për fluturimet e gjata transoqeanike dhe duke i dhënë mundësi Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor fluturime në kontinente të tjera nga Vlora në drejtim të SHBA, Kanadasë dhe Australisë”, tha ajo.

Zv/kryeministrja informoi po ashtu se edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka marrë përsipër shtimin e pistës dhe rregullim të territorit që konsiston në parkimin e mjeteve.

Njëkohësisht, Balluku theksoi se aeroporti i Kukësit do të jetë operacional edhe më shumë gjatë kësaj vere.

“Shumë kompani të reja do të nisin operimin me Shqipërinë, duke e çuar numrin e pasagjerëve në 6.4 milionë, krahasuar me 2019 kur kishim 2.3 milionë pasagjerë. Shqipëria me të gjitha investimet po kthehet në një pikë referimi për zhvillimin turistik”, deklaroi ajo.