Delvine, përfundojnë punimet e restaurimit në “Kompleksin Urbanistik Islamik – Xhermëhallë”

“Kompleksi Urbanistik Islamik- Xhermëhallë”, ndodhur në Bashkinë Delvinë është pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

DRTK bën me dije se janë kryer ndërhyrje restauruese, që kanë përfunduar në këtë kompleks urbanistik. “Përfundojnë punimet e mirëmbajtjes / restaurimit / konsolidimit, në monumentin e kulturës së kategorisë së parë”, thuhet nga DRTK Vlorë, që ka ndarë në faqen e saj në rrjete sociale dhe foto të kompleksit.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit të projektit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale vjet u bë me dije se brenda muajt tetor nisnin punimet e mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit, në këtë objekt monument kulture kategoria e parë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehej se punimet e mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit, kryesisht konsistonin në ndërhyrje tek “Hamami”.

“Përforcim i qemerëve të tij, duke vendosur strukturë (qemerë) çeliku; mirëmbajtje, pastrim dhe sistemim i ambientit përreth, etj. Ndërhyrje tek “Tyrbja”: restaurim çatie, vendosje e tavanit të drurit, restaurim i kalldrëmit të dyshemesë, konsolidim të çarjeve në muraturë, etj.

Ndërhyrje tek pjesa tjetër e “Kompleksit” janë konsolidim i rrënojave ekzistuese, etj”, thuhej nga DRTK. Xhamia e kompleksit është një ndër xhamitë e para të ndërtuara në Shqipëri, xhamia -mbret e Xhermëhallës në Delvinë.

Kompleksi islam i vitit 1682, i vetmi për nga arkitektura në territorin shqiptar është monument kulture i kategorisë së parë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë herë pas here bën me dije për projektet, që ndërmerren në objektet e ndryshme të trashëgimisë sonë kulturore.