Flet kunata e 37- vjeçarit nga Delvina që vdiq në Greqi: Çfarë u tha autorëve para se të vritej

Në vendlindje, familjarët e Pëllumb Islamit kanë hapur dyert e mortit. Ata presin trupin e pajetë të 37-vjeçarit, i cili u vra aksidentalisht të martën në një lagje të Athinës. Siç kanë mësuar mediat greke, Islami do të varroset të premten në mesditë në Shqipëri.

Trupi i pajetë e të riut u identifikua nga vëllai i tij, i cili nuk mund ta besonte dot se një plumb i kishte marrë jetën. Gruaja e vëllait, pra kunata e Islamit, ka treguar për mediat greke momentet e fundit të jetës së shqiptarit, i cili punonte si hidraulik.

“Kemi mësuar se ai kishte dalë jashtë për të shpëtuar sapo dëgjoi të shtënat dhe aty u godit. Me shumë mundësi e ka kuptuar çfarë po ndodhte dhe po vraponte për t’u larguar, por nuk ia doli dot. Ai po fliste me kamarieren më herët dhe e pyeti se kush ishin ata (grupi tjetër i shqiptarëve) sepse nuk i njihte. Kur i pa teksa ziheshin, ai u thërriti dhe u tha: Qetësohuni djema, qetësohuni”, shpreh ajo.

Kunata e Islamit shprehet se ai ishte djalë punëtor dhe nuk kishte lidhje me njerëz si ata që kryen krimin.

“Nuk njihte asnjë prej tyre. Nuk kishte të bënte fare me ta. Nuk është se shkonte shpesh në atë lokal. Nuk e di nëse shkonte shpesh për t’i parë ndeshjet siç bëri të martën. Ishte shumë punëtor dhe i qetë”, theksoi ajo.

Pas vrasjes aksidentale të Islamit mendohet se fshihet një bandë e njohur shqiptarësh. Mes tyre ka pasur një sherr që më pas degradoi në përdorimin e armëve. Plumbat prekën 37-vjeçarin i cili po qëndronte në tavolinë me shoqërinë e tij. Sipas policia, në ngjarjen kriminale janë përshirë 7 persona, mes të cilëve janë identifikuar 3 prej tyre.

Këta persona janë kontigjent kriminal dhe emra të njohur për autoritetet greke. Ata quhen “Grupi L” dhe shtypi grek i konsideron si “kriminelë të regjur” pasi janë përfshirë në trafik droge, prostitucion, trafikim të qenieve njerëzore, armëmbajtje pa leje etj.