Promovimi i Butrintit në BBC WORLD NEWS, Rama: E paimagjinueshme më parë

Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, mikpritjen dhe kulinarinë e veçantë vazhdon të tërheqë vëmendjen e medieve ndërkombëtare.

Këtë herë është BBC World News, një prej emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës që promovon Shqipërinë turistike.

Kryeministri Edi Rama ndau edhe spotin publicitar të BBC-së.

“Një prej emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës, i cili ka një audiencë gjysëm miliardë shikues në vit, e më 21-22 janar shfaq “Mrekullitë e Shqipërisë” në kanalin BBC WORLD NEWS, diçka e paimagjinueshme deri kur Shqipëria turistike nisi të marrë formën që po i japim vit pas viti”, theksoi Rama.

Në spotin e BBC u bëhet thirrje ndjekësve të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, te arkeologjia e mesjetës së hershme, nga xhevahiret e qytetërimit Osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.

“Unë do të zbuloj kulturën e larmishme të kësaj toke enigmatike”, është ftesa që iu drejton ndjekësve BBC.

Referuar statistikave zyrtare, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre, jo vetëm gjatë sezonit veror por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.

Të dhënat flasin se janë 1.9 milionë më shumë se viti 2021 dhe 18% më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave.

Po ashtu, u vunë re dhe të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3,7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84% më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; pa harruar edhe mysafirët nga Kosova, Maqedonia e hyrjet nga vendet e tjera të Ballkanit.