Shembja në tunelin Kardhiq-Delvinë, alarm për të ndalur kalimin ilegal të mjeteve drejt Sarandës

Dje u raportua për një shembje në tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz dhe kompania që kryen punimet reagoi duke thënë se shkëputje të tilla janë rutinë teksa punimet po vijojnë, por nuk cënojnë projektin në tërësi.

Megjithatë ka edhe një anë tjetër në këtë histori. Prej kohës që tuneli është hapur, herë pas here ai shfrytëzohet për t’u kaluar në mënyrë ilegale ndonëse nuk është në parametrat e duhur dhe konform të gjithë standardeve të sigurisë.

E thënë më thjeshtë, janë disa automjete taksi që bëjnë kryesisht rrugën Sarandë-Tiranë, që kalojnë përmes këtij tuneli me “shkelje syri” nga punëtorët e kantierit dhe mbase duke paguar para nëndorë. Shkurtimi i ndjeshëm i distancës që bën kjo rrugë drejt Sarandës, i shtyn disa drejtues mjetesh ta përdorin edhe pse nuk është përfunduar projekti.

Por kjo është e rrezikshme dhe mund të kthehet në burim aksidentesh. Lëvizje e automjeteve përmes këtij tuneli për aq kohë sa nuk ka përfunduar, duhet ndaluar menjëherë. Në të kundërt të mos çuditemi nëse ndodh ndonjë fatkeqësi.