Mbi 13 mijë emigrantë lënë Shqipërinë

Mbi 13 mijë emigrantë u larguan këtë të mërkurë nga Shqipëria, pas përfundimit të festave të fundvitit.

Edhe shqiptarët që kanë preferuar të festonin jashtë vendit tashmë po vijnë drejt Shqipërisë.

Prej disa ditësh në pikat kufitare ka nisur fluksi i lëvizjeve.

Në Kakavijë gjatë 24 orëve të fundit janë larguar për në Greqi, 5015 qytetarë, teksa 3258 të tjerë kanë ardhur drejt Shqipërisë.

Edhe në Kapshticë, numri i qytetareve që lënë Shqipërinë është i lartë. Sipas të dhënave të autoriteteve gjatë së hënës u larguan drejt vendit fqinj 5192 persona, ndërsa 2591 qytetarë hynë në territorin shqiptar.

Gjithashtu edhe në Qafë-Thanë kanë dalë 3153 qytetarë dhe kanë hyrë 2832.

Të shumtë ishin edhe ata që u larguan drejt Malit të Zi nga pika e kalimit kufitar të Muriqanit.

Për të shmangur radhët e gjata policia kufitare ka shtuar numrin e sporteleve në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Sipas Policisë së Shtetit, kjo ka bërë që të mos ketë vonesa për udhëtarët.

Fluksi ka nisur edhe në Portin e Durrësit, ku që prej fillimit të vitit janë larguar mbi 7 mijë shtetas. Vetëm këtë të mërkurë pritet të largohen mbi 3 mijë. Në shërbim të udhëtarëve janë vënë në dispozicion 26 sportele.

Të shumtë kanë qenë edhe qytetarët e ardhur përmes Portit të Vlorës, që këtë fundvit ka pritur numrin më të lartë të qytetarëve në hyrje që nga 2019.