5-katëshi në Dhërmi/ IKMT kallëzon IMT Himarë, komisariatin dhe IKMT rajonale Vlorë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka kallëzuar sot penalisht në Prokurorinë s Rrethit Gjyqësor Vlorë, zyrtarët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Himarës, Komisariatit të Policisë pranë kësaj bashkie, si dhe zyrtarët e Drejtorisë Rajonale Vlorë të IKMT. Objekti i kallëzimit është “shpërdorim detyre”.

Sipas kallëzimit zyrtarët akuzohen për mos-ushtrim të kontrollit në territorin që administrojnë. Më konkretisht, bëhet fjalë për objektin që inspektorët e IKMT prishën dje me shpërthim të kontrolluar në Gjilekë, Dhërmi, ndërkohë që nga institucionet përgjegjëse vendore nuk është bërë asnjë sinjalizim për këtë ndërtim pa leje.

Sipërfaqja e ndërtimit të objektit 5-katësh ishte 2160 metër katrorë dhe një kat nëntokë 898.2 m2.

Për realizimin e operacionit të shpërthimit u hapën 618 vrima, në trupin e objektit ku u vendosën 30 kilogramë lëndë eksplozive.

IKMT deklaroi se pavarësisht çdo interesimi nga inspektorët e IKMT, për objektin nuk ka dalë asnjë person që të marrë përsipër ngritjen e tij.