Muralja si një “Mos” i çdo dite

Nga Thoma Nika

Imazhi i një vajze që guxon, nxiton e vrapon duke ngjitur relievin e një kodre në ngjyrën e baltës, për t’i ikur realitetit të dhunës.

Bri saj, vargjet-e poeteshës greke Konstandina Korryvanti. Poezia e saj apelon për të qenë reagues në mënyrën e duhur, për dalje nga korniza apo qoftë dhe duke e kafshuar kornizën…

Kjo është përmbajtja e Murales, që Sarandës i la si gjurmë Dita e Rinisë 2022, në një prej fasadave të ndërtesës që ka mbetur si simbol i kulturimit.

Muralja është aty dhe sa herë hedh shikimin mbi të, ty të duket se çdo ditë është si 8 Dhjetor. Kjo është shtysa që vjen nga fabula e vajzës së Murales dhe nga poezia e ngjyrës së piktorit Kristi Simo.

Ajo u plotësua e u potencua edhe më nga poezia, që i dha zë zëri i aktores së admiruar sarandiote Luiza Xhuvani.

Të gjitha mbeten përjetime të forta, që kanë fuqinë të shpërndahen në të gjitha ditët e vitit, për të na ndërgjegjësuar, aftësuar e trimëruar, pse jo, përballë dhunës e dhunuesve. Për të kuptuar se secili ka një rol për t’i thënë “Mos!” atyre në çdo ditë, ende pa ndodhur apo kur dhuna ndodh.

Sllogan i kryqëzuar mes dy gjuhësh: “Dhunë off, Power on”, që fton çdonjerin prej nesh, të investojë energjinë e vet në përjashtimin e dhunës.

Atë ditë që Muralja u quajt e promovuar, djemtë dhe vajzat sarandiote e thanë fort fjalën e tyre kundër dhunës në një Debat Rinor, zhvilluar në një mjedis aty pranë dhe nën “dritën” e mesazheve të Murales.

Po t’i dëgjoje si diskutuan, si denoncuan dhe si analizuan e përgjegjësuan, merrje një kartë besimi se ata janë “power on” dhe se tryeza të tilla i bëjnë më shumë socialë, më sensitivë dhe më aktivë në luftën kundër çdo lloj dhune dhe çdo lloj kornize, që vjen si kufizim.

Në kësisoj organizimesh e tryezash nuk mbetet pa përsëritur se: është ngritur mekanizmi i referimit të rasteve të dhunës, se tek ne funksionon si komiteti drejtues ashtu dhe ekipi ndërsektorial, apo se është adresuar fond i veçantë për barazinë gjinore dhe mbrojten nga dhuna në familje.

Por çdo strukturë e çdo fond, merr vlerën e vërtetë, kur ne jemi kështu si në 8 Dhjetor, në çdo ditë të vitit qëndrestarë e veprimtarë dhe bashkë: diplomatë, parlamentarë, shtetarë e pushtetarë, artistë, gazetarë dhe qytetarë.

Në këtë frymë bashkëpunimi e bashkëveprimi, duhet të ecë përditë motivimi dhe sensibilizimi i mbarë shoqërisë, për parandalimin e rasteve dhe ndëshkimin e ngjarjeve në pistën përballë.