Ujë me tubacion nga Bistrica në Pulia, zyrtari italian-Ramës: Do përfitoni hapjen e vendeve të punës
Italia duket se nuk heq dorë nga ideja e vjetër për ndërtimin e një ujësjellësi nga Shqipëria drejt Pulias, pasi jugu i saj po përballet gjithnjë e më shumë me thatësirën.
Ideja që dikur iu propozua ish-kryeministrit Fatos Nano për të çuar me tubacione në jug të Italisë burimin e “Syrit të Kaltër” të Delvinës, tashmë është konkretizuar me një studim.
Sipas presidentit të Pulias Michele Emiliano, si dhe krerëve të Komfindustrisë Bari-Bat, do të duheshin 1 miliardë euro dhe 4 vite punë për ndërtimin 85 kilometrave tubacione nënujore nga Gjirokastra deri në brigjet e Pulias.
“Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore, ne kemi dhe fatin që kemi marrëdhënie shumë të mira me ta. Jo vetëm që do të zgjidhnim problemin e furnizimit me ujë, por edhe vetë Shqipëria do të përfitonte diçka, pasi do të hapeshin rreth 8 mijë vende pune direkte dhe indirekte”, u shpreh Emiliano, i cili i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama me këtë propozim, raporton Corriere.it.
“Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë parandaluese. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, është shprehur Sergio Fontana, kreu i shoqatës së Konfindustrisë Pulieze.