Blendi Klosi: Opozita e shkrehur zor se merr ndonjë bashki

Kryeministri Edi Rama prej ditësh tashmë ka nisur një tur takimesh me qytetarët nëpër bashkitë e vendit. Megjithatë, për Blendi Klosin ky nuk është një tur i parakohshëm elektoral. I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, deputeti socialist u shpreh se kryesocialisti Edi Rama është i pari në atë parti që nuk pushon asnjëherë.

Sipas tij, Rama po bën politikë, por jo në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Për Klosin opozita zor se mund të quhet një “rrezik” serioz për garën pasi, shton ai, “vështirë se mund të marrë bashki të qenësishme.”

“Kam që nga 2005 që jam sekretar i kësaj partie dhe kemi shkuar kudo, diskutojmë debatojnë. Sot jemi në të njëjtin profil në tokë. Nuk jemi në fushatë, jemi në një dialog të madh me qytetarët edhe në kuadër të projekt buxhetit. Rama padyshim qe del për të bërë politikë. Jemi në një fushatë të pandërprerë për të takuar njerëzit, për të dialoguar me ta. PS është e fortë edhe fiton sepse punon. Ky parlament i boshatisur sot është fakt i situatës. Ne besimin e testuam para një viti. Një vit më parë u testuam, do testohemi prapë më 14 maj. Siç e pashë sot opozitën, është një opozitë e shkrehur që vështirë se mund të marrë bashki të qenësishme.”