Mitsotakis: Javën tjetër do flas me Ramën për zgjerimin e Greqisë në 12 milje

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis nuk tërhiqet nga zgjerimi i vendit të tij me 12 milje në detin Jon.

Në një konferencë me gazetarët në Selanik ai tha se pas disa ditësh në Athinë, në kuadrin e forumit të “The Economist” do të bisedojë edhe me Zaevin edhe me Ramën.

“Do të bisedojmë pasi kemi çështje për të zgjidhur. Jemi fqinjë dhe me besim të mirë tek njëri tjetri do të ulemi në dialog. Me z.Rama kemi edhe çështje të tjera pas zgjerimit që bëri Greqia të ujërave të saj territoriale me 12 milje, në lidhje edhe me marrëveshjen e detit, negociatat për të cilën janë ndërprerë.

Kemi një rol lideri në Ballkan ndaj duhet ta ushtrojmë atë edhe për çështjet politike edhe për ato ekonomike”, – ka thënë Mitsotakis.

Forumi ekonomik do të mbahet në datat 15-16 shtator në kryeqytetin helen dhe Rama e ka konfirmuar ftesën edhe pse zyra e tij e shtypit është shprehur se nuk do të ketë takim me homologun grek.