Çuka: E përfshirë në planifikim me këshillim

Në dëgjesën publike për projektbuxhetin 2023 me banorët e Çukës, në fokus ishin problematikat e përditshmërisë së tyre. Krebashkiaku Adrian Gurma veçoi si problemin më të madh të tyre, azhornimin e pronave.

Këtu do të jetë edhe mbështetja më e rëndësishme e Bashkisë me financim për vitin 2023.

“Azhornimin e merr përsipër Bashkia, duke destinuar një fond të veçantë prej 200-250 milionë lekë të vjetra dhe ju do të bëheni pronar pa shpenzuar e pa paguar asgjë”, siguroi çukotët Adrian Gurma.

Ky lajm u prit mirë e u vlerësua, sikurse u vlerësuan edhe mjaft nga përmirësimet e realizuara nga Bashkia në Çukë për infrastrukturën rrugore, ndrçimin, pastrimin etj., që e bënë këtë fshat të frekuentueshëm edhe nga turistët këtë verë.

Por banorët i ndihmuan planifikimit për buxhetin e ri, me sugjerimin e tyre për të planifikuar vazhdimin e punës për rrethimin e varrezave, për trajtimin me bonus qeraje të atyre familjeve rome që aplikojnë, për shtrirjen e ndriçimit publik në çdo lagje dhe zëvendësimin e shtyllave të vjetëruara, vazhdimin e betonimit të rrugëve në brendësi të fshatit etj.

U mbajt shënim edhe kërkesa që autobusi urban të vihet më mirë në shërbim të banorëve të Çukës, pasi shpesh detyrohen të lëvizin duke përdorur shërbimin taksi për nevoja ditore të vajtje-ardhjes në Sarandë e anasjelltas.