I “forti” i Tepelenës prangoset brenda në lokal në Sarandë: Lëvizte me armë në qytet

Një operacion i mbajtur fshehtas nga Policia, ka çuar në pranga një prej emrave të njohur të botës së krimit në zonën e Gjirokastrës dhe Sarandës.

Gazetari Elton Qyno bën me dije se është arrestuar nga agjentët e policisë së Vlorës, teksa lëvizte në qytet me armë pa leje, Renato alias Andrea Çaushin nga Tepelena, i cili ka precedentë të mëparshëm të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndalimi i Çaushit është bërë në ambientet e një lokali në qytetin e Sarandës, i cili në momentin që i janë vënë prangat nuk ka bërë asnjë rezistencë, ndërsa ka pretenduar se pistoletën e mbante për vetëmbrojtje dhe jo për të qëlluar ndaj ndokujt.

Çaushi, është shoqëruar në ambientet e komisariatit të Sarandës dhe më pas Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve e municioneve”. Ndërkohë që asnjë detaj nuk është bërë public për mediat nga ana e Policiss së Shtetit.

Por kjo nuk është hera e parë që Çaushi vendoset pas hekurave të burgut, pasi është arrestuar pasi akuzohej si organizator i trafikut të drogës në Itali, por u shpall i pafajshëm nga drejtësia shqiptare. Emri i tij dhe të vëllait, Ervisit, u përfol edhe për plagosjen e pronarit të “Orange” në Sarandë gjatë kësaj vere, por kërkimi policor për ta u ndal.