Është ndare nga jeta para disa ditësh, emblema e arsimit sarandiot, Qirjako Dhroso

Para disa ditësh u nda nga kjo jetë, një nga figurat e shquara të arsimit në Sarandë,  Qirjako Dhroso duke pikëlluar familjen, shokët dhe miqtë e tij. Profesor Pandeli Papa do të shkruante: Qirjako Dhroso ishte një personalitet pedagogjik i kompletuar duke dhënë një kontribut të çmuar në përparimin e arsimit në Sarandë dhe Delvinë, veçanërisht në kualifikimin e mësuesve të biologjisë dhe kimisë.

Qetësia, maturia, fjala me peshë, këshillat plot urtësi dhe mirësi, fjala e ëmbël, buzëqeshja e lezetshme, dashuria për profesionin, respektimi ndaj kujtëdo, ishin disa nga tiparet e personalitetit të ndritur të këtij njeriu të fisëm të arsimit, kësaj figure të spikatur të mësuesve që kontribuan për arsimimin dhe edukimin e shumë brezave të nxënësve dhe mësuesve të rrethit të Sarandës.  Po kush ishte Qirjako Dhroso?.  Ai lindi në fshatin Dhrovjan më 27 shtator 1935.

Pas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike, ushtroi profesionin e mësuesit në shkollën “Adem Sheme” në Sarandë në vitet 1953 – 1956, në ciklin e lartë të shkollës 7 –vjeçare në Vrion( 1956– 1957),  zv. Drejtor i shkollës 7-vjeçare në Finiq( 1957 – 1958), drejtor në shkollën 7 – vjeçare në Vrion, në Mursi dhe përsëri në Vrion(1960 – 1961).Përfundoi studimet e larta në UT në fakultetiin e Shkencave të Natyrës, dega kimi – biologji në v. 1961 – 1965.

Për 10 vjet punoi si inspektor në Seksionin e Arsimit pranë Kom. Ekz. të Këshillit Popullor të rrethit Sarandë. Në vitet 1970 – 1972 punoi dhe si pedagog i jashtëm në filialin e Institutit të lartë Bujqësor, pranë shkollës së mesme bujqësore në Delvinë, për dhënjen e lëndës së kimisë. Në vitet 1975- 1978 punoi si mësues në shkollën e Vrionit dhe për 12 vjet(1978 – 1990) punoi si metodist në Kabinetin Pedagogjik të rrethit.

Me largimin nga kjo jetë familja humbi njeriun e dashur, shokët dhe miqt e tij një shok me vlera të larta njerzore dhe profesionale.