Bonusi i Rijetësimit në Gjirokastër, lehtësim i procedurave për fituesit

Ministria e Kulturës dhe bashkia e Gjirokastrës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për lehtësimin e procedurave për fituesit e Bonusit të Rijetësimit.

Marrëveshja u nënshkrua në Gjirokastër nga ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.

Margariti tha se “Gjirokastra është shembulli i ringritjes dhe me Bonusin e Rijetësimit ofrohet edhe një mundësi zhvillimi më shumë. Bashkë me Përmetin, Gjirokastra numëron 10 fitues dhe duhet të jetë modeli i funksionimit të kësaj skeme”.

“Ky është rasti që shteti i jep një dorë privatit që jo vetëm të shpëtojë pronën e vet, por edhe ta zhvillojë, ta rijetësojë dhe të përmirësojë ekonominë vetjake. Interesi i vetëm i shtetit është që këto objekte të ruhen, që të ruhen ansamblet historike e arkitektonike (edhe kur objektet nuk janë monument kulture, po brendashkruhen këtyre zonave), që qytetet të zhvillohen dhe qytetarët të krijojnë ekonomi më të qëndrueshme për veten dhe të tjerë që mund të punësojnë”, nënvizoi Margariti.

Bonusi i Rijetësimit u shërben të gjithë qytetarëve që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve. Bonusi përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje, dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.