Destinacioni i javës: Manastiri i Shën Gjergjit, Demë, 9 km nga qendra e qytetit

Manastiri i Shën Gjergjit ndodhet mbi një kodër, në rripin më të ngushtë të tokës që ndan detin Jon me liqenin e Butrintit, në krye të gadishullit të Ksamilit.

Ai është ndërtuar në shekullin e 15-të mbi rrënojat e murit antik dhe rrethohet me një mur i lartë e i fortë prej guri, në të cilin janë hapur shumë frëngji për mbrojtje.

Në qendër të manastirit ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila është një rindërtim i shekullit të 19-të, e rrethuar nga një sërë ambientesh ndihmëse.

Muret e brendshme të saj janë zbukuruar me piktura murale, ku vihen re tre nivele pikturimi që i mbivendosen njëri-tjetrit. Nga maja e kodrës ku ndodhet manastiri shijon një pamje mahnitëse të detit Jon dhe Liqenit të Butrintit.

Ky është një destinacion i rëndësishëm peligrinazhi por edhe për të gjithë ata që preferojnë ngjitjet në mal dhe shëtitjet në natyrë.