Alibeaj në Finiq sulmon Berishën: Kemi fituar ngritjen e një lëvizje të djathtë, jo turmë njerëzish që shkojnë qorrazi pas idhullit

Kryetari i komaduar i PD, Enkelejd Alibeaj nuk kursen sulmet ndaj Sali Berishës dhe të gjithë atyre që e mbështesin.

Nga prezantimi i kandidatit për kryetar bashkie në Finiq, Leonidha Papa, Alibeaj tha se PD po sulmohet nga treshja Berisha-Meta-Rama pasi zgjodhën të ndahen e të ofrojnë alternativë jashtë korrupsionit.

“PD ndodhet në një situatë që nuk do të donim ta shihnim. PD për gjithçka që ndodhi, ju jeni në dijeni që u ndodh në një sulm nga pushtetit, qeveria, Edi Rama dhe nga ish lideri ynë së bashku me Ilir Metën. PD bëri ndarjen e dhimbshme për të ofruar një alternativë jashtë korrupsionit. Sëmundja më e rëndë sot e shtetit shqiptar është korrupsioni, alfa është që ne duhet të distancohemi nga çdo njeri që mbart në kurrizin e vet gjurmë korrupsioni. Marrëdhënia e shtetit shqiptar me SHBA e BE është vitale”, tha Alibeaj.

Më pas vijoi duke thënë se fitorja e tyre është ngritje e një partie të djathtë që nuk ka njerëz që shkojnë qorrazi pas idhullit duke iu referuar Berishës.

“Në këtë pikë ku jemi, besoj që kemi fituar ngritjen e një lëvizje dhe një partie vërtetë të djathtë jo një turmë njerëzish që as nuk dëgjojnë, por shkojnë qorrazi ndaj idhullit. Kjo duhet të përfundojë. Njerëzit kanë të drejta, kanë zë, duhet të rebelohen kundër padrejtësisë. Drejt asaj do të shkojmë”, tha Alibeaj.