“Përrallë e rrallë”, ekspozita më e re e galerisë “Art Saranda”

Në Galerinë “Art-Saranda” është përuruar ekspozita e autorit shqiptar, të mirënjohur edhe në disa vende të botës, Genti Tavanxhi, titulluar “Përrallë e rrallë”.

Në promovimin e saj ishin të pranishëm krijues, artistë, njerëz të biznesit, gazetarë, dashamirë të artit, qytetarë dhe pushues të Sarandës.

Ata patën rastin të prekin përrallën e sjellë mjeshtërisht me skulpturën dhe pikturën me sens të fortë bashkëkohor të autorit Genti Tavanxhi.

Ai vjen në Sarandë pas 200 ekspozitave të hapura në Shqipëri dhe në disa vende të botës, ku ka fituar çmime dhe admirime të veçanta.

Ekspozita vetiake, e sjellë prej tij në Sarandë, përbëhet nga 26 punë në skulpturë e pikturë, kryesisht të frymëzuara nga motive e figura mitologjike, që kanë në qendër sensualitetin femëror.

Genti Tavanxhi është i njohur për Sarandën, me pjesëmarrjen në simpoziumin e parë të skulpturës dhe si autor i një 6 skulpturave të vendosura në Atelienë e hapur në shetitoren tonë.

Ekspozita e tij “Përrallë e rrallë”, do të jetë e hapur për publikun dhe turistët, gjatë gjithë muajit korrik. Ajo është e shtata për këtë vit në kalendarin e eventeve artistike të Galerisë “Art-Saranda”