Pas riformatimit, bëhet më funksionale zyra e informacionit turistik

Përmirësimet e nisura në mënyrën e menaxhimit të sezonit veror nga Drejtoria e Turizmit në Bashki, janë të dallueshme edhe në riformatimin që po i bëhet Zyrës së Informacionit Turistik (ZIT), në qendër të qytetit.

Ajo ka ndryshuar imazh, duke u bërë më tërheqëse për turistin vendas e të huaj, qysh në prezantimin vizual. Edhe më e rëndësishme është se edhe ana përmbajtësore e ajo funksionale, është përmirësuar dukshëm.

Në të tashmë ofrohet informacion i nevojshëm e praktik për çdo të interesuar, lidhur me guidat e përditësuara të kësaj vere, me mundësitë e alternativat për udhëtim drejt destinacioneve dhe pikave më interesante të interesit turistik, shoqëruar me rekomandimet e të dobishme.

Në këtë Zyrë të Informacionit Turistik ofrohen harta të posaçme guidimi, albume e manuale që i përgjigjen interesit të shtuar të pushuesve për të qenë sa më të infomuar dhe sa më të orientuar gjatë lëvizjes së tyre me mjete të transportit publik, taksi apo në rrugë detare. Për këdo që paraqitet dhe pajiset me informacion në ZIT të Bashkisë, plotësohet një anketë në formatin e interviste.

Ajo i shërben pasurimit të bazës së të dhënave për vendin nga vijnë turistët, për trendin e kësaj vere, si dhe një feedback për shërbimet që atyre u ofrohen.