VIDEO/ Si rrëzoi çdo akuzë të Ina Zhupës për Butrintin, amerikani Michael Granoff
Një ditë më parë, Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës se në projektin e menaxhimit të Butrintit, Fondacioni do të kontribuojë duke dhuruar 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtij parku.
Teksa shpjegoi projektin, Granoff hodhi poshtë akuzat e opozitës se Butrinti do jepet me koncension, se parku do i kalojë plotësisht privatit, apo se në Butrint do ndërtohen hotele e restorante.
Në këtë mënyrë Granoff rrëzoi deklaratat disa javore të Partisë Demokratike, e cila përmes deputetes Ina Zhupa ka akuzuar vazhdimisht për “privatizim të Butrintit”.
Në një video që po qarkullon në rrjet, ballafaqohen së fundmi akuzat e Ina Zhupës me deklaratat e Granoff i cili tregon faktet mbi projektin e menaxhimit të parkut.
Në intervistë, Granoff ka edhe një mesazh për të gjithë ata që kanë bërë një debat absurd për qëllime politike mbi Butrintin.
“Në anglisht është një shprehje që njerëzit kanë gjithmonë të drejtë për opinionet e tyre por nuk kanë gjithnjë të drejtë për faktet”, thotë ai.
Zhupa përballë Granoff:
Ina Zhupa: Butrinti po jepet me koncension.
Granoff: Koncensionet janë mundësi për të marrë, për të fituar para, ndërsa ligji për Butrintin është një mundësi nga ne për të dhuruar para. Si rezultat i këtij ligji ne do dhurojmë 5 milionë dollarë të tjerë. Nuk di shumë njerëz të tjerë ta bëjnë këtë.
Ina Zhupa: Në Butrint do të ndërtohen bare, restorante, aktivitete argëtuse.
Granoff: Nuk do të ndërtohen apartamente, hotele apo ndonjë gjë e ngjashme dhe është e gjitha e mbështetur në një bazë jofitimprurëse që do të thotë se paratë që hyjnë në Butrint, qëndrojnë në të.
Ina Zhupa: Pra absolutisht Butrinti i kalon privatit.
Granoff: Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli shqiptar. Asgjë nga këto që po bëjmë ne nuk e ndryshon pronësinë dhe kontrollin e Butrintit. Në anglisht është një shprehje që njerëzit kanë gjithmonë të drejtë për opinionet e tyre por nuk kanë gjithnjë të drejtë për faktet.