Margariti: Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti reagoi sot në lidhje me Parkun Kombëtar të Butrintit.

“A po i “shitet” Butrinti të huajve? Përgjigjja është thjesht: JO!”, shprehet Margariti, e cila renditi më tej disa fakte.

“Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar. Butrinti do të menaxhohet nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit i bashkëthemeluar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, regjistruar në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë sipas ligjit 8983 për OJF”, tha Margariti.

“Marrëveshja e administrimit nuk parashikon asnjë kalim apo tjetërsim prone”, thekson Margariti.

“Marrëveshja ka një afat kohor 10-vjeçar, pa të drejtë rinovimi automatik. Çdo propozim dhe rinovim do të merret në rishqyrtim dhe do të kalojë për miratim në Parlamentin shqiptar”, shton Margariti.

Margariti nënvizon se, “Ministri i Kulturës është drejtues i Bordit prej 5 anëtarësh. Ky Bord është vetëm themelues dhe është i hapur për të tjerë donatorë”.

“Ministria e Kulturës do të vazhdojë të ketë tagrin e kontrollit teknik, inspektimit dhe mbikëqyrjes së pasurisë kulturore Butrint”, përfundon Margariti.