Koronavirusi, Basha: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar nga qeveria shpalljen e gjendjes së fakteqësisë natyrore në gjithë territorin.

Basha propozoi 3 masa të reja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit:

1. Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të mbyllen call centers, fasoneritë dhe sipërmarrjet e tjera me numër të madh punonjësish në një hapësirë të mbyllur që kanë probabilitet të lartë për të përhapur virusin.

2. Të hartohet një plan masash i detajuar dhe me afate të mirëpërcaktuara për mënyrën e operimit të bizneseve që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve.

3. Marrjen e masave të menjëhershme diktuar nga gjendja e jashtëzakonshme për të garantuar kushtet jetike për të gjithë qytetarët që për shkak të pamundësisë për të punuar nuk përballojnë nevojat e përditshme.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë të vështirë. Qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi ndërsa qeveria duhet t’u japë siguri për të përballuar jetesën e tyre”, shkroi Basha në Facebook.