Shkelje e rregullave të qarkullimit, 80 masa administrative në Sarandë

Policia Rrugore e Sarandës arrestoi një 45-vjeçar për shkelje të rregullave të qarkullimit, si dhe ka vendosur 80 masa administrative, gjatë 24 orëve.

Sipas policisë u arrestua K. A., 45 vjeç, banues në fshatin Xarë, Konispol, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, me shpejtësi tej normave të lejuara.

Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë Rrugore, shtetasi K. A. ka tentuar t’i korruptojë ata, duke u ofruar një shumë parash, me qëllim shmangien e masës administrative.

Po në zbatim të planit të masave, nga Policia Rrugore e Sarandës janë vendosur 80 masa administrative, gjatë 24 orëve, kryesisht për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit, për parakalime të gabuara dhe për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Policia Rrugore e Sarandës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për të gjithë shkelësit që këto rregulla t’i zbatojnë me rigorozitet, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë intensifikuar kontrollet në qytet dhe në rrugët nacionale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Kontrollet janë përqendruar kryesisht në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si dhe të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve, që tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative.