Sezoni turistik, mirëmbajtje “Bazilikës-Sinagogë” dhe “Manastirit të 40 Shenjtorëve”

Në prag të sezonit turistik në monumentet e trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin tonë po kryhen pastrime dhe punime mirëmbajtëse.

Në Sarandë, punonjësit e Sektorit të Trashëgimisë Kulturore janë duke vënë në gatishmëri monumentet në pritje të vizitorëve vendas e të huaj për sezonin e ri turistik.

Gjatë ditës së sotme punonjësit po kryejnë pastrimet periodike për eliminimin e vegjetacionit në mënyrë mekanike dhe me spërkatje me ilaç për tharjen e barit.

Konkretisht ata kanë pastruar monumentet e “Bazilikës – Sinagogë” dhe “Manastirin e 40 Shenjtorëve”.

Bazilika dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve ndodhet në lindje të qytetit të sotëm, në majën e kodrës që i rri përballë Lëkurësit. Monumenti ka një arkitekturë të stilit romak. Ndodhet vetëm 3 kilometra larg qytetit bregdetar. Manastiri i 40 Shenjtorëve është monument i kategorisë së parë, nga të paktët të ruajtur në Perandorinë Bizantine dhe daton në vitet 323-324, kur ka ndodhur martirizimi i 40 shenjtorëve. Është një nga 103 monumentet e kulturës të rajonit jugperëndimor të vendit.