Ina Zhupa pas sherrit me ministren Margariti: Po japin Butrintin me koncension me marrëveshje sekrete

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas debatit që pati pak më herët në Komisionin e Edukimit me ministren e Kulturës, Elva Margariti.

Zhupa thotë se Kuvendi ka vendosur si komision përgjegjës atë të Ekonomisë për shkak se ai i Edukimit drejtohet nga opozita, ndërsa i pari nga deputeti i PS-së Eduard Shalsi. Dhe kjo bëhet se marrëveshjen sekrete ta ketë vetëm kryetari i komisionit.

Deputetja demokrate thotë se i është dërguar me një kërkesë Kuvendit lidhur me këtë, ku kërkon marrëveshjen me fondacionin.

“Butrinti me koncension me marrëveshje sekrete!

Unë si deputete relatore e komisionit të edukimit, nuk marr dot marrëveshjen sekrete që jep Butrintin nuk dihet se kujt!

Në fakt po të shikoni kalendarin e kuvendit kanë vendosur komision përgjegjës atë të ekonomisë!

Pse kjo shkelje??

Sepse kanë vendosur që Marrëveshja që ne duhet të miratojmë pra ajo midis fondacionit dhe ministrisë të jetë SEKRETE!

Ndërrimi i komisioneve është bërë me qëllimin e vetëm se vetëm kryetari i komisionit përgjegjës mund ta ketë marrëveshjen!! Komisioni i Edukimit drejtohet nga opozita, ai i ekonomisë nga Shalsi!

Për këtë i kam drejtuar një kërkesë Kuvendit!

Nuk mund të bëhesha pjesë e fasadës në komisionin e edukimit sot!

Kërkoj marrëveshjen; aktet e fondacionit (akt themelimi, statut); si është përzgjedhur personi privat; cilat kanë qenë kriteret, procedurat; cila është eksperienca e tij në administrimin e pasurive kulturore; si do të ndahet fitimet?

Kërkojmë kontratën e sponsorizimit të lidhur me studion ligjore Tashko&Pustina.”-shkruan Zhupa.