Basha: Asnjë deklarim i dalë nga manifestimi personal i Berishës kundër SHBA nuk ka lidhje me PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi mbrëmjen e kësaj të shtune, se Kuvendi i zhvilluar ditën e sotme ishte manifestim personal i Berishës kundër SHBA.

Lulzim Basha: Sot duhet të ishte një ditë feste për PD, por kjo ditëlindje është një ditëlindje e thyer. Sot nuk është një ditë e mirë as për PD, as për demokracinë shqiptare. 31 vjet pas themelimit të PD u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Berishës kundër SHBA.

I bëjmë të ditur demokratëve që sot janë shqetësuar për një shfaqje të shëmtuar antiamerikane të Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit e dëshpëruar e turpshme e tij për të marrë peng PD.

Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me PD dhe institucionet e zgjedhura të PD.

Në përgjigje të falsifikimeve, përdorimit të funksioneve dhe simboleve në kundërshtim me urdhrat, kryesia ka vendosur thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar, nesër.