Nga Kardhiq-Delvinë tek tuneli i Llogorasë, rrugët që financohen në 2022-in

Infrastruktura rrugore kombëtare është përfituesi kryesor i fondeve për investime publike në vitin 2022 me një vlerë prej 21.2 miliardë lekë ose 17.8% e totalit, të përqendruara në projekte si Unaza e madhe e Tiranës, rruga e Arbrit, Kardhiq-Delvinë, tuneli Llogorasë apo bajpasi i Shkodrës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2022 në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se investimet publike për vitin 2022 janë planifikuar në masën 6.4% e PBB-së, ose 119 miliardë lekë.

Sipas saj, investimet publike parashikohen të qëndrojnë në nivele mbi 5% të PBB-së edhe në vitet 2023 dhe 2024.

Ibrahimaj tha se projektet në ujësjellës kanalizime do të marrin rreth 13.8 miliardë lekë në vitin 2022 të përqendruara kryesisht në financimin e projekteve të nisura në periudhën 2020 dhe 2021.

“Projekte komplementare në fushën e infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellës-kanalizimeve, ndërmerren dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili në vitin 2022 do të financohet në total me 18.3 miliardë lekë. Këtu mund të përmend projektin në vazhdim të rrugës së lumit të Vlorës, si dhe projektet për sistemin e furnizimit me ujë në zonat rurale të bashkëfinancuara nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW, qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian. Gjithashtu një vëmendje të veçantë, investimet e FSHZH targetojnë zonat me potencial turistik si dhe programin “100 Fshatrat””, deklaroi ministrja Ibrahimaj.