Dosja e pronave u vodh për 3 minuta/ Vlorë, hajduti e dinte ku ishte dosja e tokave të bregdetit të Dhërmiut

Grabitja e dosjes së pronave në zyrat e qarkut të Vlorës ishte e mirëpërgatitur dhe grabitësi e dinte shumë mirë se ku ndodheshin.

Top Channel ka zbardhur pjesë të ngjarjes që po del nga hetimi i ngjarjes. Burimet thonë se grabitësi e ka ditur mirë vendin e saktë se ku ndodheshin dosjet e pronave. Ato janë dy dosjeve që i përkisnin fshatit Dhërmi, në Bashkinë Himarë, fshati ku pronësia e tokës në bregdet ka shumë probleme.

Oficerët e policisë dyshojnë se autori me ndihmën e personave brenda institucionit ka ditur vendndodhjen e saktë të dosjeve, si dhe ka qenë në dijeni të vendit ku ndodheshin kamerat e sigurisë.

Në këtë mënyrë ai ka përdorur një kënd tjetër për t’i shmangur ato, ndërsa e gjithë grabitja ka zgjatur jo më shumë se 3 deri në 5 minuta. Hetimi tashmë do të shtrihet tek punonjësit e administratës së institucionit, për të zbuluar nëse kanë ndihmuar grabitësin.

Dosjet që janë vjedhur kishin brenda tyre dokumente origjinale të tokave në Dhërmi dhe nuk kanë qenë pjesë e arkivit të Kadastrës së Vlorës, për shkak të problemeve që kishin me pronësinë.

Për këtë arsye Kadastra nuk e kishte marrë përsipër regjistrimin e tyre, ndërsa tashmë me humbjen e dokumenteve origjinale rrezikohet edhe tjetërsimi i këtyre pronave.

Pronësia në bregdet është burim i vijueshëm konfliktesh në Vlorë. Për shkak të përplasjeve për pronat kryesisht në rivierë ku po ndërtohen ndërkohë një sërë resortesh luksoze Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Vlorë ka ndërruar 10 drejtues në dy vitet e fundit.